Shkolla e mesme e përzier “25 Maji” do të jetë pjesë e projektit “Përmirësimi i efikasitetit energjetik në ndërtesat publike”, punime përmes të cilit do të ulët konsumi i energjisë në objekt, por edhe do të bëhen renovime të rëndësishme, ka thënë drejtori i kësaj shkolle, Lindon Gjelaj.
“Ministria e Investimeve Kapitale me një ekip ekspertësh tashmë ka bërë një analizë të detajuar. Objekti ynë është ndërtuar në vitin 1983 dhe ka një sipërfaqe prej 3194 metrash katrorë. Ka një sistem ngrohje që daton në vitin 1983 që punon me vaj ngrohjeje. Investimi do të përfshijë ndërrimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, furnizimin me energji elektrike, sistemin e ngrohjes, vendosjen e termoizolimit dhe rikonstruksionin e çatisë dhe dyshemesë”, sqaroi drejtori Gjelaj. /MALESIA.ORG/