Nga Qani Osmani
Politikën e bëjnë politikanët, të cilët janë njerëz që mendojnë se idetë dhe aftësitë e tyre duhet t’i vendosin në shërbim të një qëllimi më të lartë sesa vetvetja apo familja. Pa dyshim që një pjesë e vogël e individëve që nisin një karrierë politike, nisen me këtë premisë, për të dhënë më të mirën, por për fat të keq, pjesa më e madhe e tyre që angazhohen “fort” në politikë janë njerëz të cilët nuk duhet votuar apo pajisur me pushtet, sepse ata nuk janë nisur për ta përdorur atë për të mirën e përgjithshme! Janë persona me ambicje ekstreme por me aftësi të pakta! Janë dembelë e të pashkolluar, por hiqen si të palodhur dhe intelektual! Janë manipulativë dhe mashtrues por hiqen si të drejtë dhe parimorë! Në raste të rralla, mund të kenë edhe shkollim të mirë dhe intelegjencë mbi mesataren, por këta tipa janë narcizistë dhe delitant! Prandaj shumë pak nga ata që mbërrijnë lart në politikë janë akoma disi të ndershëm apo paksa të përlyer, sepse sistemi i pisllëkut moral të politikës sonë, i flak një nga një, ditën kur e kanë të pamundur të bëjnë kompromise që shkelin parimet e tyre!
Zhvillimet anokronike në politikën e politikbërësve në vendet ballkanike e kanë relativizuar edhe kuptimin e vërtetë dhe fillestar të fjalëve moral, apo i moralshëm, etikë dhe nuancat e tyre semantike. Ajo që deri dje konsiderohej moral dhe virtyt njerëzor dhe në jetën e përditshme është kryekëput e kundërt me fjalën hipokrizi apo dyftërsi, në politikë ka marrë ngjyrim të specializuar semantik, gjegjësisht sfera e politikës është situatë speciale, ku kjo fjalë përbën përjashtim nga rregulla e përgjithshme.
Nëse të gënjesh dhe të mashtrosh në jetën e përditshme është e turpshme dhe e gjykueshme, në politikë është aftësi dhe shkathtësi që të ngren lart në vendimmarrjen politike, si një virtyt që s’mund ta ketë secili, dhe prandaj është për t’u vlerësuar. Vetëm në politikë është e lejuar t’i hash fjalët, të thuash të kundërtën në një afat kohor të mëvonshëm, të premtosh edhe atëherë kur je i vetëdijshëm se premtimi është i pairealizueshëm, është e lejuar të vjedhësh pak, por jo ta teprosh, dhe të ngjashme.
Ky tjetërsim rrënjësor i vlerave dhe i sjelljes etike, që në jetën e përditshme dhe profesionale apo ekonomike shkakton neveri dhe përbuzje nga bashkëqytetarët apo klientët dhe konsumatorët, dhe detyrimisht sjell deri te humbja e kredibilitetit dhe besimit nga të tjerët, nuk vlen vetëm për politikanët, sepse ata janë një rast special, një racë më e lartë njerëzore të cilëve u lejohet gjithçka! Për ta nuk vlejnë as edhe urdhëresat dhe udhëzimet e profetëve, si për shembull, mos vidh, mos e lakmo pasurinë, mos e tradhto gruan, mos ia bën tjetrit atë që nuk do të ta bëjë ty askush, respekto prindërit, duaje të afërmin dhe të ngjashme.
Një person që u përmbahet urdhëresave të besimit të tij fetar, që i respekton ligjet e shtetit ku jeton dhe që jep kontributin e vet modest në përparimin e shoqërisë, është më se i respektuar dhe i vlerësuar nga të tjerët, si një njeri i moralshëm dhe i devotshëm, që s’i bën dëm askujt dhe ndihmon me aq sa mundet. Por për ta vërtetuar deri në fund moralitetin e një individi mjafton që t’i jepet mundësia të ngjitet në shkallët e pushtetit, me anë të të cilit pritet që të punojë dhe sakrifikojë edhe më shumë për avancimin dhe mirëqenien shoqërore.
Se çka ndodh në ndërkohë nuk e dimë, por se ndodh një transformim shpirtëror në mendjen e tij është më se evidente. Pas vetëm një kohe shumë të shkurtër, nga vetëpëlqyeshmëria, ai fillon të bëhet gjithnjë e më indiferent dhe moskokëçarës, mosmirënjohës ndaj atyre që i kanë dhënë “lejen” të ngjitet këtyre shkallëve, pak nga pamundësia për t’i ndihmuar të gjithë për shkaqe objektive, por më shumë nga “verbimi” prej dritës së pushtetit, që pastaj nga humbja e dëgjimit për hallet e njerëzve të thjeshtë, për të cilët ka dalë vullnetar dhe është zotuar se do të punojë me të gjitha forcat.
Dhe në vend që kjo të konsiderohet devijim dhe shmangje nga zotimet e tij, nga po ata që i kanë dhënë mandatin, ai konsiderohet i aftë dhe i shkathtë nga goja, duke premtuar në të njëjtën kohë se i duhet edhe pak kohë për ta mbajtur premtimin, për shkak të rrethanave të paplanifikuara objektive, të cilat gjoja se kanë krijuar pengesa dhe kanë shkaktuar prolongimin e kryerjes së punëve. Nga ana tjetër, shija e pushtetit është e shoqëruar nga mendjemadhësia dhe mbivlerësimi individual i bartësit të pushtetit, nga fakti se ata habiten edhe vetë me zotësinë e tyre, që kanë arritur të ngjiten aq lart në piedestalin e pushtetit, por edhe nga paranoja e humbjes së tij, dhe nga “vjedhja e postit” nga pretendentë të tjerë.
Ruajtja me xhelozi e karriges së pushtetit për të shndërrohet në obsesion dhe secili që e kujton për zotimet e dhëna, që e kritikon për të mirë, atij i duket se gjoja e aspiron vendin e tij, dhe si rrjedhojë fillon të abuzojë me pushtetin drejt “gjuatjes së shtrigave” dhe luftimit preventiv të atyre që mendon se e dëshirojnë karrigen e pushtetit, duke shkaktuar rrugës pasoja tëpariparueshme në drejtim të dëmtimit të fateve individuale dhe familjare.
Nëse dikush vërtetë beson se politikani sakrifon nga vetja për të mirën e përgjithshme (respekt për përjashtimet pozitive), është naiv dhe e gjithë jeta e tij ka qenë një gënjeshtër. Ose ka përfituar në mënyrë të pandershme nga ky politikan dhe është bërë bashkëfajtor me të në shpërdorimin e detyrës. Në fakt, këta individë janë karburanti i pushtetit të këtyre politikanëve! Janë ata që nuk shohin më larg sesa një favor i përkohshëm nga një politikan “bamirës”!
Institucioni i moralit është nga më themelorët për politikën dhe politikanët. Morali si kategori universale ndan të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja, të ndershmen nga e pandershmja, legjitimen nga jolegjitimja, shoqëroren nga egoistja. Morali është tejet i lidhur me politikën dhe politikanët. Çdo moral ka politikën e vet, por asnjë politikë nuk mund të mbijetojë pa moral. Kur politika ose politikanët humbasin moralin atëherë politika dhe politikani kanë humbur të drejtën, të dobishme dhe legjitimitetin të ekzistojnë. Morali është institucion më vete. Morali përgjithësisht dhe në politikë veçanërisht lidhet me marrëdhëniet njerëzore, me drejtësinë njerëzore. Rënia e moralit do të thotë ndërprerje e lidhjes së politikës me njerëzit, do të thotë cënimi ose shkelja e vlerave njerëzore, do të thotë humbjea e dobishmërisë shoqërore, do të thotë mungesa e drejtësisë shoqërore.