Nimanbegu kërkon formularët e nënshkrimeve në gjuhën shqipe

Kryetari i Forcës Genci Nimanbegu i dërgoi vërejtje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për mosrespektim të Kushtetutës dhe Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave – përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. “Për dorëzimin e listës në Komisionin Komunal  Zgjedhorë është e detyrueshme të dorëzohet formulari për dorëzimin e nënshkrimeve të mbështetjes për listën zgjedhore për zgjedhjen e këshilltarëve.

Ky formular nuk ekziston në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të Komisionit Zgjedhor Komunal të Ulqinit, gjë që është e papranueshme, sepse sipas nenit 13 të Kushtetutës së Malit të Zi, gjuha shqipe është edhe në përdorim zyrtar.

Fatkeqësisht, e gjithë faqja e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në  Komunës së Ulqinit dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është në gjuhën malazeze dhe angleze”, thuhet në vërejtjen drejtuar kryetarit të KSHZ-së, Nikolla Mugosha.

“Forca e re Demokratike FORCA i drejtohet Komisionit Shtetëror Zgjedhor që të eliminojë këto mangësi diskriminuese dhe t’u mundësojë qytetarëve të Ulqinit që të lexojnë përmbajtjen dhe formularët për zgjedhjet lokale në Ulqin në gjuhën e tyre amtare, siç e kërkon Kushtetuta e Malit të Zi”, ka përfunduar Nimanbegu.