Koalicion “Fillim i Ri” i udhëhequr nga URA e Dritan Abazoviq, i ka fituar zgjedhjet e 27 marsit në Ulqin, por megjithatë nuk e ka shumicën për formimin e pushtetit lokal.
Për formimin e shumicës duhen 17 mandate, ndërsa koalicioni i URA-së i ka fituar 14 mandate.
Është interesante se kjo është lista me më së shumti mandate të fituara në njëzet vitet e fundit, më 42.61% të votave të fituara. Por duhet theksuar se kjo listë përbëhet nga pesë subjekte politike: URA, Socialdemokratët dhe SDP nga partitë qytetare, dhe Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare nga partitë nacionale. Megjithatë supozohet se rreth 80% e votave në këtë listë janë votat e URA-së.
Për formimin e pushtetit lokal në Ulqin, koalicionit “Fillim i Ri” i duhet edhe së pakut 3 mandate.
Deri me tani nuk ka sinjale nga listat tjera për një bashkëpunim.
Në anën tjetër lista e DPS-së me Partinë boshnjake, si lista e dytë më e fortë me 6 mandate të fituara, i ka ftuar dy listat shqiptare për formimin e shumicës. Lista UDSH – LDnëMZ është lista shqiptare e cila i ka fituar poashtu 6 mandate, ndërsa Forca e cila në zgjedhje doli e vetme, i ka fituar 5 mandate. Këto tre lista së bashku i kanë 17 mandate.
Në këto zgjedhje morën pjesë edhe Demokratët e Aleksa Becic, duke fituar dy mandate.
Dritan Abazoviq është shprehur se është shumë i kënaqur me zgjedhjet në Ulqin dhe se në këtë qytet, DPS ka rënë në mënyrë drastike. Ai shprehet se kandidati i URA-së do të jetë kryetari i ri i Komunës së Ulqinit, megjithatë i pyetur të komentojë faktin se në Ulqin DPS, UDSH dhe Forca, mund ta formojnë pushtetin, Abazoviq, ka thënë se mund të ndodh edhe një kombinim i tillë.
Nga lista UDSH – LDnëMZ janë shprehur se janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve.
“Ky është një rezultat historik, kemi dyfishuar rezultatet nga zgjedhjet e kaluara. Në zgjedhjet e ardhshme do t’i dyfishojmë përsëri, sepse ky është shenj se po kthejmë besimin e ulqinakëve dhe se do të punojmë vetëm për interesin e tyre”, tha bartësi i listës UDSH-LDnëMZ Mehmed Zenka.
Në anën tjetër, nga Forca e Re Demokratike nuk janë shprehur të kënaqur me zgjedhjet.
“Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin tonë i cili është i ulët jo vetëm për shkak të sulmeve që na janë bërë nga të gjithë dhe për shkak të garës se pandershme në shkelje me rregullat e lojës, por edhe për shkak të gabimeve apo lëshimeve tona.” ka thënë Genci Nimanbegu.
Alternativa Shqiptare si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga URA, tashmë do të jetë edhe në Kuvendin e Ulqinit.
“Alternativa shqiptare nga sot është prezent edhe në parlamentin lokal të Ulqinit, pra si partia me e fuqishme shqiptare.”, ka shkruar Nik Gjeloshaj, kryetar i ASh-së. /MALESIA.ORG/
Koalicioni “Fillim i Ri” – 14 mandate ose 42,61% të votave të fituara
Koalicioni DPS – Partia boshnjake – 6 mandate (18,74%)
Koalicioni UDSH – LDnëMZ me 6 mandate (17,14%)
Forca – 5 mandate (14,28%)
Demokratët – 2 mandate (7,22%)