Kumtesa e plotë e historianit Zef Ujkaj, në shënimin 111 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, të organizuar në New York nga Shoqata Malësia e Madhe:
Sot kujtojmë 111- vjetorin e Kryengritjes së Malësisë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme historike jo vetëm për Malësinë, por edhe për historinë e popullit shqiptar në tërësi.
• marrëveshjen e Podgoricës të 2 gushtit, nga e cila mësojmë se turqit u detyruan të ulen në tryezën e bisedimeve, duke i marrë në konsideratë kërkesat e shqiptarëve.
Pas luftrave të shumta përgjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, shqiptarët kishin realizuar disa prej pikësynimeve të tyre në rrafshin kombëtar, kulturor e politik, por ardhja e xhonturqve në pushtet dhe masat antishqiptare si mbyllja e shkollave shqipe, klubeve apo gazetave; përndjekja e mësuesve dhe veprimtarëve shqiptarë; mohimi i kombësisë, mbledhja me dhunë e taksave të vjetra dhe vendosja e taksave të reja; çarmatimi, rekrutimi etj., shkaktuan pakënaqësi të madhe në mesin e tyre, dhe sollën shpërthimin e kryengritjeve pothuajse në të katër vilajetet. Xhonturqit nuk qëndruan duarkryq, por dërguan Shefqet Turgut Pashën për të shtypur kryengritjen e Kosovës dhe të Malësisë së Madhe, e cila ishte më e tensionuar se sa në krahinat e tjera. Nga terrori i egër i ushtrisë turke, shumë shqiptarë u detyruan të kërkonin strehim në Mal të Zi.
Malësorët themeluan Komitetin e Podgoricës me në krye Sokol Bacin, Komitet, i cili shënoi pikënisjen për organizimin e kryengritjes antiosmane dhe bëri të mundur sigurimin e armatimeve, strehimin e emigrantëve dhe prezantimin e çështjes shqiptare nëpër qarqet diplomatike, si dhe afrimin e shumë patriotëve shqiptarë.
Ndërkohë Krajl Nikolla synonte që lëvizjen e shqiptarëve ta shfrytëzonte për interesat e Malit të Zi. Kur malësorët nuk bënë kompromis ai iu ndërpreu ndihmat ushqimore dhe i detyroi të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Kryengritësit nuk pranuan të dorëzoheshin në dorë të xhonturqve, por shpërthyen në kryengritje të armatosur për të fituar lirinë e shumëkërkuar. Në këto rrethana më 24 mars 1911, në Rapshë të Hotit filloi Kryengritja e udhëhequr nga burri trim e i mençur Dedë Gjo Luli, kryengritje e cila do të përhapej shumë shpejt në të gjithë territorin e Malësisë heroike dhe do të shkaktonte panik tek autoritetet osmane. Valiu famëkeq i Shkodrës, Bedri Pasha duke u munduar të shkaktonte përçarje mes kryengritësve i dha asaj ngjyrime fetare duke e quajtur Kryengritje të të krishterëve. Malësorët dërguan disa përfaqësues, për të bindur vullnetarët, që iu ishin bashkuar osmanëve, se kjo kryengritje ishte e drejtuar vetëm kundra autoriteteve otomane dhe kishte objektiv kryesor çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj. Shumë prej tyre reflektuan dhe dezertuan prej ushtrive të pushtuesit duke u bërë shembull tregues se turqit nuk do të mund të përçanin shqiptarët në baza fetare.
Kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan shumë patriotë shkodranë, malësorë nga Trieshi, Koja, Fundënat, dukagjinas etj. Kryengritja e Malësisë vuri në lëvizje edhe krahina të tjera, në veri e jug të vendit, të cilat treguan mbështetjen e tyre përmes shpërthimit të kryengritjeve. Edhe shqiptarët e Amerikës i dolën në krah Kryengritjes, po ashtu arbëreshët e Italisë, me synimin që Kryengritja të shtrihej në të gjitha territoret shqiptare, të sigurohej mbështetje nga qeveritë e huaja dhe të ndërkombëtarizohej çështja shqiptare.
Më 30 mars në Cetinë u mbajt mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum, të miratuar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpend, drejtuar Fuqive të Mëdha. Me anë të këtij dokumenti kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, njohja e kombësisë shqiptare; shpenzimi i të ardhurave buxhetore në dobi të vendit etj. Megjithëse Porta u bëri shqiptarëve disa lëshime, kryengritësit nuk do të ndaleshin, derisa të arrihej autonomia e plotë e Shqipërisë.
Më 6 prill, pas luftimeve të ashpra, malësorët morën Deçiqin dhe po atë ditë në majën e Bratilës, Nikë Gjelosh Luli do të ngrinte për herë të parë, pas kaq shekujsh robërie flamurin në emër të të gjithë shqiptarëve. Ngritja e flamurit, do të shërbente si një tregues i qartë, se qëllimi i Kryengritjes së vitit 1911 ishte mëvetësimi i Shqipërisë. Shpirti i kësaj kryengritjeje ishte Dedë Gjo’ Luli, ky burrë energjik, me karakter të fortë, që kurrë nuk bëri asnjë kompromis në kurriz të të drejtave të shqiptarëve. Lajmin e ngritjes së flamurit në Deçiq e botoi fillimisht gazeta e kolonisë shqiptare në Sofje “Liria e Shqipërisë” Aty thuhet: “…malësorët luftojnë me flamur t’kuq me shqiponjen e zezë me dy krena, …. me bajrakun e Skënderbeut”.
Osmanët e cilësuan ngritjen e flamurit si disfatë, prandaj intesifikuan sulmet. Por meqënëse Bedri Pasha nuk po shënonte ndonjë sukses në shtypjen e Kryengritjes, në vend të tij u emërua Shefqet Turgut pasha, i cili zbarkoi në territoret shqiptare me një fuqi ushtarake të konsiderueshme, sikurse dhe materiale të shumta luftarake. Ai do të nxirrte në Shkodër një proklamatë prej 12 nenesh, duke iu premtuar kryengritësve falje nëse dorëzoheshin brenda 5 ditëve.
Kryengritësit iu përgjigjën kësaj thirrjeje me një deklaratë, që u miratua në mbledhjen e mbajtur në Pikalë, deklaratë e cila iu dorëzua konsujve të huaj në Cetinë më 12 maj. Dokumenti konsistonte në parandalimin e masave ekstreme të ndërmarra nga osmanët kundrejt shqiptarëve. Sipas tyre kthimi në atdhe do të realizohej vetëm në rast se kërkesat e kryengritësve do të realizoheshin, kur Stambolli të siguronte drejtësi dhe barazi mes shqiptarëve, kur të respektonte zakonet dhe traditat e tyre, kur populli shqiptar të pranohej si komb, të jetonte i lirë si çdo popull tjetër, në të kundërt do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e atdheut.
Austro-Hungaria dhe Rusia kërkuan prej Portës që shqiptarëve t’u bëheshin disa lëshime në mënyrë që krizës t’i jepej fund. Kështu që, më 17 qershor osmanët shpallen amnisti të përgjithshme për kryengritësit shqiptarë nëse dorëzonin armët brenda një afati 10-ditor, por përpjekja e tyre rezultoi e dështuar. Meqë pjesa më e madhe e kryengritësve ishin katolikë, Stambolli kërkoi ndihmën e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që të ndërmjetësonte midis dy palëve. Edhe ky mision dështoi pasi pikat e marrëveshjes binin ndesh me idenë e qartë të malësorëve për autonominë e Shqipërisë.
Me nismën e Komitetit të Podgoricës, u mblodh në pllajën e Greçës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin “Memorandumi i Greçës”. Me këtë akt kryengritja e armatosur e malësorëve kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët. Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin e tij morën pjesë atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje, që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale. Më 26 qershor, “Libri i Kuq” iu paraqit ambasadorit turk në Mal të Zi, mbretit malazez dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituara në Cetinë. Një memorandum i veçantë do t’i dërgohej edhe qeverisë angleze. Qeveria osmane i hodhi poshtë kërkesat e malësorëve pasi plotësimi i tyre nënkuptonte shkatërrimin dhe fundosjen e Perandorisë.
Duke qenë se Porta e Lartë nuk po i detyronte dot malësorët të ulnin armët, kërcënoi Malin e Zi me luftë nëse do të vazhdonte të strehonte më tej malësorët, gjithashtu kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha. Ndërhyrja e Rusisë dhe Austro-Hungarisë, bëri që osmanët dhe malazezët të diskutonin çështjen e rregullimit të kufirit mes tyre, dëbimin e emigrantëve kryengritës nga Mali i Zi dhe përfitimin e kompensimeve materiale për mbajtjen e emigrantëve shqiptarë. Pas gjithë tentativave, Mali i Zi premtoi sigurimin e paqes mes malësorëve dhe osmanëve.
Por meqënëse malësorët nuk lëviznin nga kërkesat e Greçës, osmanët paralajmëruan që do t’i ndiqnin kryengritësit malësorë edhe brenda kufirit malazez. Për arsye se kjo ndërhyrje parashikonte fillimin e luftës malazezo-osmane dhe më tej ballkanike, Mali i Zi kërcënoi malësorët me zi të bukës. Malësorët, duke konsideruar si të vetmen rrugëdalje marrëveshjen e pjesshme të ofruar nga osmanët, u ulën në tryezën e bisedimeve. Të gjendur mes dy zjarresh dhe pa asnjë mbështetje, më 2 gusht 1911 malësorët nënshkruan në Podgoricë marrëveshjen e paqes me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke. Fakti që Perandoria Osmane u detyrua të nënshkuante një marrëveshje me malësorët, në sytë e shqiptarëve zhveshi mitin e pathyeshmërisë së saj dhe përgatiti rrugën drejt organizimit të revolucionit kombëtar shqiptar të vitit 1912. Pavarësisht gjithë shpërblimeve, posteve dhe pensioneve të ofruara nga xhonturqit, Dedë Gjo Luli nuk pranoi të kthehej në atdhe për sa kohë që nuk njihej autonomia e Shqipërisë. Duke qenë se ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë garanci lidhur me lëshimet e bëra, Porta nuk do të zbatonte pothuajse asnjë pikë të koncensioneve. Kur kryengritësit u kthyen në shtëpitë e tyre, xhonturqit iu rikthyen politikës antishqiptare. Ata bënë gjithçka që zbatimi i pikave të marrëveshjes së Podgoricës, që fillimisht iu premtua gjithë sanxhakut të Shkodrës, të kufizohej vetëm në krahinën e Malësisë së Madhe e më pas për malësorët e riatdhesuar nga Mali i Zi. Të ndodhur në një situatë kritike, malësorët do të bëjnë gjithçka që të sigurojnë armë dhe të fillojnë kryengritjen e radhës për çlirim të plotë nga pushtimi turk.
Ndërkohë shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta penguar Kryengritjen e Malësisë dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme. Me ngritjen e flamurit kombëtar në Bratilën e Deçiqit dhe me programin mbarëkombëtar të Greçës u vërtetua se Kryengritja nuk ishte as lëvizje lokale, as fetare dhe as e nxitur nga Mali i Zi. Aq e rëndësishme ka qenë për Shqipërinë Kryengritja e Malësisë së Madhe, sa themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, do të shkruante lidhur me të: “Trima malësor – shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën”. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 tregoi qartazi se ishte një kryengritje e bazuar në idenë kombëtare për pavarësi.Ajo përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe na bën edhe sot të ndihemi krenarë që jemi bijtë e Malësisë heroike.