Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj njoftoi se do të hapet fabrika e vajit të lulediellit në Tuz, një investim prej 4.5 milion euro, ku do të hapen 60-80 vënde të reja pune.
Shkrimi i plotë:
Pata kënaqësinë që sot të pres Abdurahman Ćeskon, drejtorin gjeneral të REIS-BAU sh.p.k., me të cilin diskutuam mbi fillimin e punimeve në hapjen e fabrikës së vajit të lulediellit. Ky plan afatgjatë parasheh prodhimin dhe paketimin e vajit të lulediellit, i cili do të jetë brend lokal që do të hapë 60-80 vende të reja pune, me investim të përgjithshëm prej 4.5 milion euro. Sipas planit të punimeve, vaji i parë pritet të dalë në shitje në muajt gusht – shtator.
Kjo fabrikë është një mundësi e mirë për të gjithë prodhuesit bujqësorë të Malësisë, të cilët dëshirojnë të merren me prodhimin e lulediellit, pasi prodhime të këtij lloji nuk kemi pasur deri më tani në vendin tonë, të cilëve përmes hapjes së kësaj fabrike do t’u garantohet shitja e prodhimit.
Hapja e fabrikës së çipsit, e tani edhe e vajit të lulediellit po dëshmojmë se Komuna e Tuzit po bëhet gjithnjë e më shumë vend i investimeve të huaja, përmes të cilave hapen edhe vende të reja pune.
Falënderoj z. Ćesko, që ka zgjedhur komunën tonë për të investuar në këtë fabrikë, me çka po e dëshmojmë se jemi komuna më e hapur dhe më e sigurt nga të gjitha komunat në Malin e Zi sa u përket investimeve.