Serbia do të jetë shteti i parë në Evropë që do të ketë raketa kineze.
Aleatja e Rusisë, Serbia ka pranuar këtë fundjavë një dërgesë të sistemit kundërajror të sofistikuar kinez, shkruan Associated Press.
Kjo dërgesë vjen teksa Perëndimi po shqetësohet se një grumbullim i armëve në Ballkan, në kohën kur lufta në Ukrainë po vazhdon, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.
Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë avionë transportues të forcave ajrore kineze aterruan në aeroportin civil të Beogradit mëngjesin e së shtunës. Këta avionë raportohet se kanë transportuar për ushtrinë serbe sisteme tokë-ajër të tipit HQ-22.
Avionët transportues kinezë me shenja ushtarake u panë në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë nuk i është përgjigjur menjëherë pyetjeve të AP-së për këtë temë.
“Avionët transportues Y-20 ngritën shqetësime sepse ata fluturuan masivisht, në vend të një sërë fluturimesh përmes një avioni”, shkroi revista online The Warzone. Sipas kësaj reviste, prania e këtyre avionëve në Evropë “po ashtu është një zhvillim mjaft i ri”.
Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq tha se “kinezët demonstruan forcën e tyre”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar dërgesën e sistemit me rreze të mesme veprimi, për furnizimin e të cilit Beogradi dhe Pekini ishin pajtuar më 2019. Ai tha të shtunën, më 9 prill, se ai do të prezantojë “krenarinë më të re” të ushtrisë serbe të martën ose të mërkurën.
Më herët, Vuçiq ishte ankuar se shtetet e NATO-s, që përbëjnë shumicën e fqinjëve të Serbisë, se po refuzojnë që të lejojnë që avionët me furnizime të këtyre sistemeve, të fluturojnë mbi territoret e tyre në mes të tensioneve për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Sipas Associated Press, në Perëndim ka frikë se armatosja e Serbisë me armë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë këtë shtet të Ballkanit drejt një lufte tjetër, veçmas kundër Kosovës, e cila shpalli pavarësinë më 2008. Serbia, Rusia dhe Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve perëndimore e njohin pavarësinë e Kosovës.