Kurti: Asnjë gram tolerancë për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “sulm terrorist” sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit më 15 prill, duke shtuar se nuk do të ketë “asnjë gram tolerancë” nga Qeveria për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.

Sulmet e ditëve të fundit ndaj policisë së Kosovës në veri janë dënuar fuqishëm si nga autoritetet e Prishtinës edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Gjatë tre ditëve të fundit janë regjistruar disa sulme të njëpasnjëshme kundër policisë së Kosovës që operon në veriun e vendit. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në sulmin e parë policët kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve, në sulmin e dytë zyrtarët janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar breshëri automatiku, ndërsa në një sulm të katërt janë përdorur edhe granata dore dhe automatik AK 47. Policia ka bërë të ditur, se ka pasur vetëm dëme materiale dhe të automjeteve të policisë, por jo të lënduar.

Reagime pas sulmeve

Nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas sulmit të fundit ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës në veri, më 15 prill. Sipas kryeministrit, Albin Kurti u takon organeve të rendit që të hetojnë dhe të vlerësojnë situatën e sigurisë. “Është Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës ato që i bëjnë analizat, studimet edhe të shkaqeve dhe të rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë. Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, tha Kurti.

Sulmi i 15 prillit, kur sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, policët ishin sulmuar teksa ishin nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë, kishte për qëllim të vriste policët, ka thënë Kurti. “Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga shteti i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.

Sulmet dënohen nga bashkësia ndërkombëtare

Nga ana e bashkësisë ndërkombëtare bëhet thirrje kundër eskalimit të situatës. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar si nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Forcat paqeruajtëse KFOR, thanë se ata janë të gatshëm të ndihmojnë policinë e Kosovës, nëse kjo kërkohet. “Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet. Ne presim nga të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet pa nevojë dhe të ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.