Nga Gjekë Gjonaj
Forcat serbe gjatë luftës 1998-1999 , kishin dëbuar me forcë popullin e Kosovës nga shtëpitë e tyre. Vala më e madhe e refugjatëve ishte shpërngulur në Shqipëri. Viti ’99 kujtohet si dramë e madhe. Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbetën simbol dhe shembull i solidaritetit njerëzor. Qeveritë e tyre bënë diçka të jashtëzakonshme. Ato gjatë eksodit të shqiptarëve nga Kosova ishin një me Kosovën dhe hapën kufijtë e shteteve të tyre. Me këtë rast mijëra familje nga këto tri shtete fqinje dhanë kontributin e tyre, duke hapur dyert e shtëpive të veta për rreth një milion shqiptarë nga Kosova të cilët u detyruan të lëshojnë trojet e veta nga forcat paramilitare serbe.
Për të kujtuar ditët e shpërnguljes me dhunë të kosovarëve nga shtëpitë e veta dhe vuajtjet e tyre nga regjimi i egër e barbar i SllobodanMilosheviqit , dhe për të treguar bujarinë dhe mikpritjen e familjeve shqiptare ndaj refugjatëve nga Kosova po veçoj veprimin njerëzor të familjes së Anton Shkrelit, i njohur në Shtoj të Ulqinit si Noshi i Lacit. Ai në shtëpinë e tij në vitin 1998 pranoi dhe strehoi disa familje nga Peja të njohura e të panjohura. Të gjitha u bënë bashkë. Po ashtu një vit më vonë, në muajin mars, familja Shkrela ndau një kulm shtëpie edhe me familje të tjera nga Kosova, të cilat qëndruan aty deri në muajin qershor, kur ato kur morën vesh se Kosova ishte e lirë. Në këtë familje të njohur për mikpritje e bamirësi gjetën strehim, dashuri e respekt vëllazëror afro 80 kosovarë në njërin prej momenteve më të vështira të historisë së tyre. Përveç kujtimeve Prenë Shkrelit i ka mbetur vetëm një foto, kjo që po e shihni me fëmijë të vegjël kosovarë , në oborrin e shtëpisë së saj, të cilën e ruan me shumë kujdes.
Personalisht kam pasur rastin disa herë t’i vizitoj këto familje kosovare ( fëmijë të vegjël, të rinj e të reja, gra e burra të moshuar), të shoqërohem e të bisedoj me to për hallet dhe përjetimet e tyre rrëqethëse nga eksodi serb, të cilat të shqetësojnë shpirtin e të prekin thellë në zemër. Ata ndjeheshin shumë mirënjohës ndaj familjes Shkreli, dhe të gjitha familjeve tjera shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni që ua kishin hapur dyert me shtëpive të tyre në kohë kur ata ishin larguar nga Kosova për shkak të represionit serb.
E bukura është se familjarët e Anton Shkrelit, 23 vite më pas , kanë mbetur miq të vjetër, të dashur e të sinqertë me këto familje kosovare, që nga koha e luftës. Të gjithë së bashku e dinë se janë vëllezër dhe do të jenë vëllezër gjithmonë.