Zelensky falenderon Shqipërinë dhe i kërkon të mos lejojë turistë e anije ruse


Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, iu drejtua të martën deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje humanitare dhe armë për Ukrainën, për të përballuar, siç tha, agresionin rus.

Presidenti ukrainas, duke folur përmes video-lidhjes, kërkoi nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

Gjatë fjalës së tij, Zelensky ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që po i jep Ukrainën dhe në veçanti për strehimin e të larguarve nga lufta.

“Ky qëndrimi u juaj ndaj popullit ukrainas, ndaj fëmijëve ukrainas në kohë të vështira për ne më kujton Nënë Terezën, shenjtorja shqiptare, jeta e të cilës është kthyer në simbol të humanizmit”, ka thënë Zelensky.

Ai e ka përqendruar fjalimin e tij tek mizoritë e agresionit rus në Ukrainë.

“Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë… ndoshta vijnë vrasës të Buçës apo të Irpinit”, tha Zelensky, duke iu referuar qyteteve ukrainase, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.

Zelensky u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët mbanin para vetes pankarta me flamurin e Ukrainës dhe mbishkrimin: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”.

Rama: Historia e Kosovës na ndihmon të ndjejmë dhimbjen e Ukrainës

Fjalën pas tij e mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se rrallëherë ndodh që Kuvendi i Shqipërisë “të shquhet për dakordësi”, mirëpo “mbështetja ndaj rezistencës ukrainase kundër pushtuesve rusë, është e përbashkët”.

“Gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, është rreshtuar krah jush me çdo gjë që kemi mundur”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria po mundohet t’i dalë në ndihmë Ukrainës në forma të ndryshme.

“Shqipëria është vend shumë më i vogël se i juaji, mundësitë për ndihmë janë modeste. Por, kemi besuar që në fillim se, edhe pse materialisht s’mund të bëjmë gjë, mund të jemi të vlefshëm me zë në tryezat e NATO-s dhe OKB-së, ku kemi qenë bashkënismëtarë të rezolutave të rëndësishme kundër agresionit rus”, tha Rama.