Në Tuz do të hapen 3 fabrika, parashikohen punësime për 250 punëtorë

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, paralajmëroi përgatitjen për fillimin e punës së tre fabrikave në Tuz-Malësi.

Siç kumton Gjeloshaj, është hyrë në fazën finale të punimeve dhe për këtë është e nevojshme edhe mbështetja e Qeverisë së Malit të Zi.

“Qeveria e re ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe shumë shpejt bashkë me Kryeministrin Abazoviq dhe kabinetin e tij do t’i vizitojmë këto fabrika, për të treguar mbështetjen e fuqishme, jo vetëm të komunës por edhe të Qeverisë, për zhvillim ekonomik”, deklaroi Gjeloshaj.

Ai ka bërë të ditur se deri në fund të këtij muajit do të hapet fabrika e përpunimit të pemëve dhe perimeve, ndërsa në gusht ose shtator fabrika e vajit të lulediellit.

Sipas Gjeloshaj, këto janë tre projekte jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e Komunës së Tuzit, ku do të ketë investime shumë milionëshe.

“Plani është që kur të punojnë me kapacitet të plotë, në të do të punësohen deri në 250 punëtorë”, deklaroi Gjeloshaj.

Malesia.org

Furra Tahiri