Diskutim mbi pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi

Në Ulqin u mbajt dialogu i hapur me temën “Shqiptarët në Mal të Zi- sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI”, ku u shprehen pikëpamjet për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.

Në diskutimin “Shqiptarët në Mal të Zi-sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI” u shprehen pikëpamjet mbi pozitën e shqiptarëve si komunitet, i cili po përjeton dukurinë e asimilimit, por edhe rënien e numrit të tyre në vend.


Përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës dhe Tiranës shfaqen gatishmërinë që në shumë aspekte të mbështesin kërkesat e shqiptarëve në Malin e Zi.

Ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha, tha se duhet filluar një bashkëpunim i mirëfilltë në temat ku Republika e Kosovës mund të ndihmojë.

“Të fillojmë të ndërtojmë një bashkëpunim specifik në temat ku Republika e Kosovës mund të mbështesë kërkesat e ndryshme si në ruajtjen e identitetit, avancimi në fushën e edukimit, trashëgimisë kulturore, sportit, por edhe të aspektit të investimeve ekonomike”, tha zonja Zherka-Hoxha.

Në këtë kuadër zv/ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Adi Hoxha, vuri në dukje problemin e asimilimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

“Dukuria e asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi është një nga këto sfida. Fakti që ky fenomen trajtohet me shqetësim për perspektivën, nuk përjashton konstatimin e tendencës sot që rrjedh nga e kaluara. Kjo çështje ndoshta është ndër më delikatet për tu trajtuar me kompetencë politike dhe shkencore”, tha zoti Hoxha.

Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, vuri në dukje nevojën e shqyrtimit të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi dhe përballja e tyre me probleme të ndryshme.

“Unë besoj se për një dialog të hapur të këtillë, ku trajtohen çështjet identiteti të shqiptarëve jo vetëm në Malin e Zi por në mbarë Ballkanin janë më se të nevojshme dhe duhen të jenë t ë vazhdueshme. Duhet të kemi parasysh se ne si shqiptarë këtu në trojet tona në Malin e Zi ndodhemi edhe përballë fenomeneve të ndryshme që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rënien e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi. Ky është fenomeni i asimilimit, emigrimit, nataliteti i ulët që e reduktojnë qenien kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi”, tha zoti Nika.

Në diskutim u paraqitën analiza dhe interpretime të disa problemeve lidhur me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis, i cili mund t’i nxisë institucionet përkatëse që të merren në mënyrë kompetente me këto çështje.