Ansambli Shqiponja fiton medalje të artë në Kupën e Botës të Folklorit


“Ansambli Shqiponja” nga Tuzi ishte pjesëmarrëse e Kupës së Botës të Folklorit të zhvilluar javën e kaluar në Bullgari, ku fitoi tre çmime në tre nivele të ndryshme, përfshirë këtu Medaljen e Artë për folklor burimor autentik.

Kupa botërore e folklorit e zhvilluar në Veliko Tarnovo të Bullgarisë zgjati tre ditë, ndërsa organizohet nga Federata Evropiane e Festivaleve të Folklorit, që njëkohësisht është partnere e UNESCO-s.

Kjo nuk është hera e parë që “Ansambli Shqiponja” merr pjesë në këtë festival, por që sipas udhëheqësit të ansamblit, Agron Pllumaj, ky është suksesi i tyre më i madh.

“Natën e parë ansambli fiton vendin e parë në nivelin ballkanik evropian me medaljen e art, diploma të ndryshme dhe dhurata nga vet federata e festivaleve evropiane dhe botërore. Nata e dytë ishte pushim, shëtitje dhe njohje me qendrën e festivaleve botërore të folklorit që quhet Veliko Tarnovo”, tha për Malesia.org udhëheqësi i ansamblit Agron Pllumaj.

Ndërkaq në natën e tretë dhe finale, Shqiponjat fitojnë medalje të artë për folklor burimor autentik.

“Nata e tretë ishte nata e garimit në nivel Botërorë. Ansambli Shqiponja natën e tretë fiton vendin e parë në folklor burimore autentik në festival botërorë, me medaljen e artë, kopën e artë, diploma të ndryshme dhe dhurata të ndryshme nga Federata e Festivaleve Evropiane dhe Botërore. Ne menduam që me kaq kishte marrë fund, por udhëheqësja përsëri na fton në skenë për të pranuar edhe një çmim tjetër. Është hera e parë që ne edhe pse nuk jemi Ansambël shtetëror, të na kyçin në çmimet të nivelit shtetëror, ku Ansambli Shqiponja merr çmimin e kopës se art të nivelit 3 në të gjitha rangjet e festivalit”, përfundon Pllumaj.

 

/MALESIA.ORG/