Vdiq ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani


Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë të shtunën, më 28 maj, nga komplikimet shëndetësore si pasojë e betejës disamuajshe me COVID-19. Ai ishte 56 vjeç.

Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ku ishte dërguar para një muaji për përkujdesje intensiv pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po ashtu vuante nga një sëmundje auto-imune.

Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

Në këtë pozitë erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik.

Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit të Brendshëm në vitin 2007 dhe në vitin 2011, ndërsa atë të ministrit të Drejtësisë në vitin 2009.

I njohur për një maturi publike, Nishani ishte presidenti i gjashtë i Shqipërisë. Ai ishte angazhuar për orientimin pro-evropian të Shqipërisë dhe ishte përkrahës i reformave për anëtarësimin e shtetit të tij në Bashkimin Evropian.

Ishte avokues për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale për të forcuar stabilitetin në rajon dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Më 25 nëntor të vitit 2012, Presidenti Nishani kishte dekoruar Malësinë e Madhe me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dekorata ishte nda me këtë motivacion: “Për vlerat e larta atdhetare, si vatër e pashuar e kryengritjeve antiosmane dhe si pararendëse e pavarësisë me ngritjen e flamurit në Deçiq, për qëndresën heroike në mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste dhe për bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

/MALESIA.ORG/