Shoqata “Malësia” nga Kalifornia u përgjigj pozitivisht kërkesëssë redaktorit të Programit të pakicave në Radio Televizionin e Malit të Zi, Senad Gilaj, të cilën e bëri në korrespodencë me Zyrën për bashkëpunim me diasporën në Komunën e Tuzit, respektivisht me Shefin e kësaj zyre, Mark Lucgjonaj. Fjala është për donacionin i cili do t’i shërbejë Redaksisë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi për blerjen e pajisjeve, respektivisht një kamere me standardet më të larta.
Kontaktet e para lidhur me kërkesën e kësaj redaksie, Gilaj i pati me nënkryetarin e kësaj Shoqate, Sherif Kërniq, i cili kërkesën në fjalë e paraqiti në kryesi, e që menjëherë u pranua si nga kryetari Enver Gjokaj, ashtu edhe nga anëtarët e tjerë të kryesisë.
Mjetet e ndara, siç na tha redaktori i Programit të pakicave pranë RTMZ, do të shërbejnë për blerjen e kamerës, e cila, nëmarrëveshje me menaxhmentin e këtij servisi publik, do t’i shërbejë vetëm Redaksisë në gjuhën shqipe, dhe sipas fjalëve të drejtorit Boris Raoniq, kjo do të ndihmojë që të jetë ndoshta edhe një arsye më shumë për punësimin e një kameramani ose montazheri të ri nga Malësia.”Kjo kamerë do të shërbejë për të mbuluar aktivitetet e shumta të cilat organizohen në Komunën e Tuzit dhe më gjerë, ku në shumë raste nuk kemi pasur mundësi t’i ndjekim për shkak të mungesës së kamerës që tashmë do ta sigurojmë falë donacionit të bashkëvendësve nga Kalifornia, – u shpreh Gilaj.
“Kryesia e Shoqatës “Malësia” nga Kalifornia ju përgjigj pozitivisht kësaj kërkese, sepse e pamë të arsyeshme që krahas shume donacioneve të cilat i bëjmë në Malësi dhe më gjërë, kësaj here, të ndihmohet edhe Redaksia në shqip në TVMZ , me shumën prej 6000 dollarësh amerikan” thuhet në njoftimin nga kjo shoqatë”.
“Kjo shoqate kësaj here nuk hezitoi që kërkesës sonë t’i përgjigjet pa përtesë, e që është hera e parë që ndonjë shoqatë nga bashkatdhetarët tonë të ndihmojnë Redaksitë në gjuhën shqipe, si në televizion ashtu edhe në Radio, edhe krahas një tradite 60 vjeçare në Radio, e më së 25 vite në Televizion”.
Sipas fjalëve të Gilaj-t, i cili i falënderoi përzemërsisht bashkatdhetarët nga Kalifornia, ndër të tjera ai na tha se “me kërkesë të njëjtë i është drejtuar edhe dy shoqatave tjera, “Malësia e Madhe” në Nju Jork dhe Miçigan, dhe shpreson se edhe ata do të ndjekin shembullin e shoqatës simotër nga Kalifornia dhe do të ndihmojnë redaksitë shqip si në Televizion, ashtu edhe në Radio. Ai shpreson se në këtë mënyrë do të vendoset edhe një bashkëpunim dhe korrespodencë më e mirë me bashkatdhetarët tonë në SHBA, e që në të ardhmen, do tu kushtojnë më shumë vëmendje atyre edhe në servisin publik, respektivisht në emisionet në gjuhën shqipe si në Radio ashtu edhe në Televizion, duke përcjellë aktivitetet që ata zhvillojnë në qendrat ku jetojnë,- u shpreh Gilaj.
Mjetet u ndanë sot në Zyrën për bashkëpunim me diasporë në Komunën e Tuzit nga ana e Mark Lucgjonaj, kurse ato i pranoi redaktori i Programit të pakicave, Senad Gilaj. “Vërtetë, komuniteti ynë është larg Atlantikut dhe vetëm trupin e kanë atje, por shpirti dhe mendja gjithmonë u mbeten peng në Malësinë e tyre , të citët e duan aq shumë.
Gilaj dhe Lucgjonaj u shprehen tejet falënderues ndaj donacionit të Shoqatës nga Kalifornia.