“Vatra” shënon 110 vjetorin e saj – Presidenti Ilir Meta dekoron veprimtarë të mërgatës shqiptare në Amerikë


Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra shënoi 110 vjetorin e themelimit të kësaj organizate të ideuar dhe drejtuar nga Fan Noli dhe Faik Konica.

Shënimi i këtij jubileu të madh filloi me Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, Darkën Gala dhe Ceremoninë e Dekorimeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta në nderim të veprimtarisë së shquar atdhetare e patriotike të shqiptarëve në mërgatën e Amerikës.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha deklaroi për të pranishmit se Vatra do të vazhdojë t’u prijë proceseve dhe punëve të mira në dobi të çështjes kombëtare e të mirës së komunitetit shqiptar në Amerikë.

“Themeluesit e formuan Vatrën me një qëllim të vetëm; për të bashkuar forcat intelektuale, fuqitë materiale dhe njerëzore kombëtare për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përgjegjësi. Me shumë mund e sakrifica ia arritën të mbrojnë interesin kombëtar dhe mbi të gjitha të mbrojnë kufinjtë e Shqipërisë. Për 110 vite më radhë Vatra nuk ndaloi së punuari dhe asnjëherë nuk rreshti duke i dalë për Zot shqiptarëve të kudo ndodhur. Vatra ishte suporti kryesor në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe vazhdoi me kontributin e saj në të gjitha proçeset e ndërtimit të shtetit shqiptar në 110 vite ekzistencë. Gjithashtu Vatra dha një kontribut tejet të vyer edhe në formimin e shtetit më të ri në botë, Kosovës që sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj” tha nder te tjera kryetari Berisha.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta Deklaroi se: “Në këtë ditë të bekuar të 110-vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, që përkon me Ditën e Çlirimit të Kosovës, jam shumë i lumtur të marr pjesë në New York në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “VATRA – 110 vjet në shërbim të Atdheut dhe kombit shqiptar”.

Presidenti Meta dekoroi patriotë të shquar shqiptarë në mërgatën e Amerikës: “Për sakrificat sublime për lirinë e pavarësinë e Kosovës; për kontributin e lartë si veprimtarë të shquar shqiptarë në diasporën e Amerikës; personalitete absolute në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë; si urëlidhës mes Kosovës, Shqipërisë dhe Amerikës; për rolin në zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve; për forcimin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane; kontributorë të shquar e veprimtar të pa lodhur për çështjen kombëtare; për ndihmëse të jashtëzakonshme për ruajtjen e identitetin kombëtar, gjuhës dhe shqiptarizmës përtej Atlantikut”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta dekoroi me Titullin e Lartë “Nderi i Kombit” Vëllezërit Bytyqi (Ylli, Mehmet, Agron) për sakrificat sublime për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, Titullin e Lartë “Nënë Tereza” për Dom Ndue Gjergji dhe Vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj, Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për patriotët, vatranët dhe veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare: Ahmet Giaffo (Xhafo), Dr. Pashko Camaj, Marjan Cubi, Zef Balaj (Pas Vdekjes), Mhill Gjuraj, Lek Mirakaj, Ramadan Gashi, Bruno Selimaj, Marash Nucullaj, Haxhi (John) Dauti, Ramiz Tafilaj, Vëllezërve Bitici ( Sergio, Mike, John, Joseph), Tonin Mirakaj, Mehmet Kadrija. U nderuan me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: Dr. Skënder Myrtezani, Ibrahim Kolari, Agim Aliçkaj, Mëhill Velaj, Besim Malota, Adriatik Spahiu, Gani Vila (Albanian TV of Amerika – Detroit), Qemal dhe Kozeta Zylo (Tv “Alba Life” NY), Mondi Rakaj, Merita Bajraktari, Gjokë Deçkaj, Elio H. Ahmetaj, Gjokë Nikollë Lulaj.

/MALESIA.ORG/