Qeveria e Abazoviqit në rrezik


Tradhti ndaj Malit të Zi, kapitullim i shtetit para Kishës Ortodokse Serbe, farsë… Këto janë disa vlerësimet e disa partive politike në Mal të Zi për një version të Marrëveshjes Themelore, që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën.

Reagimi më i ashpër ka qenë nga partitë që marrin pjesë në Qeverinë e Malit të Zi ose i ofrojnë asaj mbështetje politike në Kuvend: Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS).

Kritikat janë përcjellë me paralajmërime se Qeveria, e zgjedhur dy muaj më parë, mund të humbasë mbështetjen në Kuvend, ku ka një shumicë prej vetëm tri votash.

Ajo që kundërshtohet me të madhe në propozim-tekstin e marrëveshjes së Qeverisë, është pjesa që e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe në Mal të Zi gjashtë shekuj më herët se atë të Kishës në Serbi.

E njohur si Marrëveshja Themelore, ajo nënshkruhet me bashkësitë fetare për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella pronësore dhe juridike.

Pas gati një dekade negociatash të pasuksesshme të qeverive të mëparshme, kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka premtuar nënshkrim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

SDP kërcënon të rrëzojë Qeverinë

Pas publikimit të propozim-tekstit të Marrëveshjes Themelore më 28 qershor, për të cilin thuhet se ka pasur dakordim midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, pasuan reagime të furishme.

Draginja Vuksanoviq, deputete e SDP-së, partisë që ka dy ministra në Qeverinë e Abazoviqit, tha se projekt-marrëveshja është “farsë, tradhti dhe okupim”.

Nga kjo parti thanë jozyrtarisht për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se, nëse Qeveria e pranon këtë version të Marrëveshjes Themelore me Kishën, “Qeveria, në mënyrë të pashmangshme, do të bjerë dhe do të shpallen zgjedhje të reja parlamentare”.

Nga DPS-ja thanë se në tekst ka “qëllime dukshëm të këqija” ndaj Malit të Zi dhe shtuan se Qeveria është e obliguar që t’i mbrojë interesat kombëtare malazeze.

“Përndryshe, pasojat dihen”, tha Millosh Nikolliq, një zëdhënës i DPS-së.

Edhe Predrag Boshkoviq, nga kjo parti, tha se “dokumenti i përshtatur për Kishën Ortodokse Serbe” është përpjekje “për të vjedhur historinë dhe thesarin kulturor” të Malit të Zi dhe shtoi se ai nuk do të kalojë.

“Ka duruar ky shtet dhe pushtues më të mëdhenj. Do t’i durojë edhe këta”, tha ai.

Edhe pse DPS nuk është në Qeveri, kjo parti i jep mbështetje parlamentare Qeverisë së pakicës, të udhëhequr nga Abazoviq, e cila është votuar në fund të prillit të këtij viti.

Nga “Matica crnogorska”, institucion kulturor në Mal të Zi, thanë se me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, vendi “do të nënshkruante aktin e kapitullimit”.

Si u përgjigj Abazoviq?

“Përveçse kam dëgjuar që jam tradhtar, nuk kam dëgjuar ende se nene të caktuara të marrëveshjes nuk janë në rregull”, tha Abazoviq.

Ai tha se palët që janë të pakënaqura me tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kanë qenë në dijeni për përmbajtjen e saj.

“Përfaqësuesit e DPS-së dhe SDP-së e kanë ditur tekstin dhe nuk kanë pasur asnjë kundërshtim për pjesën normative”, tha Abazoviq.

Por, ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, nga SDP-ja, publikoi një letër drejtuar kabinetit të Abazoviqit, e cila tregon se kjo parti ka kundërshtuar projekt-marrëveshjen.

Nga DPS-ja thanë se kryeministri po mashtron opinionin dhe se kjo parti ka kundërshtime për marrëveshjen.

Abazoviq takoi më 30 qershor në Beograd patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Ky i fundit tha se miratimi i tekstit të Marrëveshjes Themelore mund të vendosë “kurorë” mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Abazoviq tha pas takimit se është e nevojshme që të kryhen të gjitha procedurat në nivel të grupeve punuese dhe të organeve të tjera në Qeverinë e Malit të Zi dhe në Kishën Ortodokse Serbe.

Kush nuk kundërshton?

Vetëm Fronti Demokratik (DF), parti pro-serbe dhe pro-ruse, nuk shprehu kundërshtime, duke thënë se marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe është e pranueshme për të, nëse Kisha e vlerëson si të mirë.

Ish-kryeministri Zdravko Krivokapiq, paraardhës i Abazoviqit, tha se versioni i publikuar i Marrëveshjes Themelore është pothuajse identik me atë që Qeveria e tij i ka dërguar për miratim Kishës Ortodokse Serbe, në korrik të vitit të kaluar. Qeveria e Krivokapiqit ka qenë në marrëdhënie të ngushta me Kishën Ortodokse Serbe.

Çfarë është e diskutueshme?

Për kundërshtarët e versionit të Marrëveshjes Themelore është i diskutueshëm fakti që Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi njihet si subjektivitet juridik nga viti 1219, ndërsa në Serbi subjektiviteti i saj juridik njihet nga viti 1836.

Pra, sipas propozim-marrëveshjes, pjesë të Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht katër dioqeza që veprojnë në Mal të Zi, janë gati gjashtë shekuj më të vjetra se vetë kisha “nënë” – selia e së cilës është në Beograd.

Për më tepër, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi do të ishte “më e vjetër” se vetë shteti i Malit të Zi.

Një tjetër çështje e diskutueshme është edhe ekstraterritorialiteti i Kishës.

Sipas versionit të marrëveshjes, shteti malazez i garanton Kishës Ortodokse Serbe se organet shtetërore nuk mund të marrin masa të sigurisë në objektet dhe hapësirat e saj, pa miratimin paraprak të organeve përgjegjëse të Kishës, përveç kur bëhet fjalë për mbrojtje urgjente të jetëve dhe shëndetit.

Përveç që Kisha Ortodokse Serbe garanton paprekshmërinë e pronës mbi objektet fetare tashmë të regjistruara, shteti ka marrë përsipër regjistrimin edhe të pasurive të paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Partitë dhe institucionet pro-malazeze e shohin një formulim të tillë si “kapje” të thesareve kulturore dhe historike të Malit të Zi.

Termi “themelore”

Mali i Zi, deri më tani, ka nënshkruar Marrëveshje Themelore me Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe me marrëveshje ka rregulluar edhe marrëdhëniet e ndërsjella me komunitetin islam dhe me atë hebre.

Pikërisht termi “themelore” është i diskutueshëm në marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, sepse ajo nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e ka statusin e kishës shtetërore në Mal të Zi.

Marrëveshja Themelore, e nënshkruar nga Qeveria e Malit të Zi me Selinë e Shenjtë, në qershor të vitit 2011, përmban atë përcaktues, sepse është marrëveshje ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe shtetit të Vatikanit, i njohur ndërkombëtarisht.

Kur janë nënshkruar marrëveshjet me komunitetin islamik dhe hebre në Mal të Zi, termi “themelore” ka rënë.

Disa politikanë dhe ekspertë thonë se nënshkruese të marrëveshjes me Kishën do të duhej të ishin katër dioqezat e Kishës Ortodokse Serbe, që janë të regjistruara në Mal të Zi, e jo selia e tyre në Beograd.

Përvojë të ngjashme ka pasur Kroacia.

Në dhjetor të vitit 2001, kryeministri i atëhershëm i Kroacisë, Ivica Raçan, ka nënshkruar marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe në Kroaci. Në emër të Kishës ka nënshkruar Mitropoliti i Zagrebit dhe Lubjanës, Jovan.

Marrëveshja nuk ka qenë “themelore”, por “marrëveshje për çështje të interesit të përbashkët”, dhe nuk është nënshkruar nga patriarku i atëhershëm i Kishës Ortodokse Serbe, Pavle.

Negociatat e Malit të Zi për Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur dhjetë vjet më parë, gjatë qeverisjes së DPS-së, e cila ka rënë nga pushteti në gusht të vitit 2020.