Dritan Abazoviq në Serbi, takohet me Brnabic, Vucic dhe Dacic – Faqe e re në mes Malit të Zi dhe Serbisë


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në kuadër të vizitës së tij në Serbi u takua në Beograd me homologen serbe Ana Brnabic, presidentin Aleksandar Vucic dhe kryeparlamentarin Ivica Dacic.

“#Beogradi është stolisur sot me flamujt e dy vendeve vëllazërore. Faleminderit për pritjen e mrekullueshme! Ne po kthejmë një faqe të re – duke treguar se dy vendet mund të bëjnë ndryshe dhe më mirë.”, e ka shkruar Abazoviq në faqen e tij në facebook.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se dëshirojnë të hapin një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë dhe se synojnë të rrisin në nivelin më të lartë bashkëpunimin në të gjitha fushat kryesisht në politikë.

Në një fjalim në konferencën e përbashkët me Kryeministren e Serbisë, Ana Brnabic, Abazoviq vuri në dukje se me Beogradin kanë hyrë në një periudhë të re dhe nuk ka asnjë problem të pazgjidhshëm mes dy vendeve.
“Në marrëdhëniet me Serbinë dëshirojmë të hapim një faqe të re. Synojmë të rrisim në nivelin më të lartë bashkëpunimin në të gjitha fushat kryesisht në politikë”, tha Abazoviq.
Gjithashtu edhe kryeministrja serbe Brnabiq tha se kanë hyrë në një periudhë të re në marrëdhëniet dypalëshe. “Vitet e fundit janë grumbulluar probleme reciproke, por jemi të gatshëm t‘i zgjidhim këto”, theksoi ajo.

Duke bërë të ditur se dy vendet i ka afruar nisma “Ballkani i Hapur” i krijuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Brnabiq potencoi se edhe Serbia është e gatshme për të hapur një faqe të re.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic në adresën e transmetuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ka theksuar se i duket se me Abazoviqin në një mënyrë konkrete kanë arritur të zgjidhin çështjet e mëdha politike që ndanë dy vendet.
Vucic theksoi se vizita e Abazoviqit në Beograd është “vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm” dhe se ai beson se mund të jetë edhe më mirë.
Ai shtoi se me Abazoviqin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe politike, bashkëpunimin ekonomik, bujqësinë, furnizimin me ushqim dhe balancat energjetike dhe se si të dy vendet mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në vjeshtë dhe dimrin e ardhshëm.

/MALESIA.ORG/