A mund ta shpëtojë Kisha Qeverinë e Abazoviqit?

Tani kur Qeveria e Dritan Abazoviqit në Mal të Zi ka mbetur pa mbështetjen e një pjese të shumicës qeverisëse, ka lindur pyetja nëse do t’i votohet mosbesimi apo do të mbijetojë politikisht, duke siguruar mbështetjen e partive opozitare: Frontit Demokratik pro-rus (DF) dhe Demokratëve.

Këto parti, së bashku me Lëvizjen URA të Abazoviqit, kanë qenë në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2020, por, pas një viti e gjysmë, për shkak të mospajtimeve politike, atyre u është votuar mosbesimi – pikërisht me votat e URA-s, dhe udhëheqësi i Demokratëve, Aleksa Becic, është shkarkuar nga posti i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.

Analisti politik nga Podgorica, Zlatko Vujovic, beson se Demokratët do të kenë ndikim kyç në fatin e mëtejshëm politik të Qeverisë së Abazoviqit, e cila ka mbetur pa mbështetjen e shumicës në Kuvend.

SDP dhe DPS kanë ndërprerë mbështetjen për të, pasi Qeveria e Abazoviqit, më 8 korrik, ka miratuar tekstin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje, e cila rregullon marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës, është thënë se kërcënon interesat e Malit të Zi.

“Rënia e Qeverisë aktuale mund të ngadalësojë rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, por ne nuk mund ta tolerojmë neglizhencën ndaj interesave kombëtare”, ka thënë kryetari i DPS-së, Milo Djukanovic, njëherësh president i Malit të Zi, më 11 korrik.

Megjithatë, blloku politik që ka votuar për Qeverinë e Abazoviqit, nuk ka mjaftueshëm deputetë për ta shkarkuar atë.

Demokratët dhe DF-ja, me gjithë kritikat dhe rezistencën ndaj Qeverisë së pakicës, nuk janë deklaruar ende në mënyrë eksplicite nëse do të votojnë për shkarkimin e Qeverisë ose jo.

Tre skenarë dhe pasojat

Vujovic thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ekzistojnë së paku tre skenarë për fatin e Qeverisë së Abazoviqit.

Njëri është votimi i mosbesimit për Qeverinë.

Në këtë rast, thotëVujovic, palët e interesuara për rrëzimin e Qeverisë, do të duhej të siguronin mbështetjen e Demokratëve të Becic.

“Opsioni më real është që Demokratët apo dikush tjetër nga opozita, të sigurojnë votat për shkarkimin e Qeverisë së Abazoviqit dhe, pas kësaj, të vendoset nëse Qeveria aktuale do të lejohet të zhvillojë procesin zgjedhor apo do të formohet qeveri e re”, thotëVujovic.

Por, ai shton se Qeveria do të mund të mbijetojë politikisht, nëse shpëtimi i saj është në interes të Kishës Ortodokse Serbe. Ai vë në dukje edhe marrëdhëniet e ngushta të Demokratëve me Kishën.

“Nëse ndodh që ata [Kisha Ortodokse Serbe] ushtrojnë ndikim te Demokratët – të cilëve u konvenon rrëzimi i Abazoviqit – atëherë kryeministri aktual mund të shpresojë në vazhdimin e mandatit të tij. Përndryshe, na pret shkarkimi i Abazoviqit dhe Qeverisë së tij”.

“Prandaj, faktori kyç që mund të shpëtojë Qeverinë e Dritan Abazoviqit është Kisha Ortodokse Serbe, përmes ndikimit të saj te Demokratët”, thotë Vujovic.

Qeveria e Abazoviqit ka miratuar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe më 8 korrik – pas së cilës gjë kanë pasuar kritika të ashpra.

“Qeveria ka braktisur agjendën e integrimeve evropiane dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me ekspertë, ka bërë marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe, duke u shkaktuar dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Malit të Zi”, kanë thënë nga DPS-ja.