Të shtëna me armë në veri të Kosovës, mbyllen pikat kufitare me Serbinë

Policia e Kosovës mbylli pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, Bërnjak dhe Jarinjë, pasi serbët e rajonit bllokuan rrugët para fillimit të aplikimit të masave të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Besim Hoti, ka konfirmuar
se qytetarët nga veriu i Kosovës kanë bllokuar rrugët kryesore nga Mitrovica për në Laposaviq dhe vendkalimin Jarinjë, si dhe për në Zubin Potok dhe vendkalimin Bërnjak.

Fillimisht, në veri të Mitrovicës u dëgjuan sirenat, të cilat ishin sinjal për qytetarët që të fillojnë të grumbullohen. Më pas filloi bllokimi i autostradave me kamionë dhe automjete.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë ditës së sotme mbajti mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend, para fillimit të zbatimit të reciprocitetit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës nga 29 qershori, të hënën, më 1 gusht 2022, në pikat kufitare do të jepen fletë-deklarime të përkohshme për personat që hyjnë në Kosovë me letërnjoftime serbe. Fillon edhe procesi dymujor i konvertimit të targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës, “PR”, “KM”, “PZ” e të ngjashme, të lëshuara nga Serbia, në targa RKS (Republika e Kosovës).

“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha Qeveria e Kosovës në një njoftim.

“Institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik.”, thuhet më tej.

Po ashtu, qeveria shtyu afatin për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin e Kosovës, deri më datë 31 tetor 2022.

Policia njofton për të shtëna me armë zjarri

Ndërkohë, Policia e Kosovës tha se ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por se “fatmirësisht nuk ka të plagosur”.

“Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, tha Policia.

Kurti: Vuçiq dhe Petkoviq, përgjegjës për trazirat në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një deklarate në rrjetet sociale, reagoi ndaj sulmit të strukturave ilegale serbe në veri të Mitrovicës, si pasojë e paralajmërimit të masave të reja të reciprocitetit.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, deklaroi Kurti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Në vazhdim, kryeministri Kurti kërkoi që të përcillen me vëmendje njoftimet nga qeveria e Kosovës, nga ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe të mos lejohet dezinformimi nga mediat e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre.

Sipas Kurtit, orët, ditët dhe javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike.

“Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, përfundoi Kurti.