Po formohet partia e re shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar (UNSH)

Javën e kaluar në Tuz është formuar Këshilli Iniciues për themelimin e një partie të re shqiptare. Partia më e re do të quhet Unioni Nacional Shqiptar (UNSH).

Partia e re doli si rezultat i mospajtimeve në mes Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) dhe Degës së kësaj partie në Malësi, e cila pastaj u shkëput nga Qendra dhe formoi listën, Unioni Tuz. Përpos asaj, disa javë më parë, Ferhat Dinosha, një ndër bashkëthemeluesit e UDSH-së, ish-kryetar dhe kryetar nderi i UDSH-së u distancua nga kjo parti dhe u largua edhe zyrtarisht.

Këshillin iniciues të UNSH-së e përbëjnë ish pjesëtarë të UDSH-së dhe udhëheqësia e Unioni Tuz, të cilët emëruan politikanin Ferhat Dinosha në krye të Këshillit.

Nga Këshilli Iniciues kanë njoftuar se ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve për themelimin e partisë së re, Unionit Nacional Shqiptar.

“Jemi shumë të kënaqur me përkrahjen që njerëzit i kanë dhënë themelimit të kësaj partie të re shqiptare . Përkundër vapës ekstreme të këtyre ditëve , njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme kanë dëshmuar se përkrahin politikën e sinqertë e pragmatike nacionale e cila ka qenë e pranishme në aktivitetin e
deritashëm publik të anëtarëve të Këshillit Inicues . Kjo na bën të shpresojmë se koha do të dëshmojë se UNSH shumë shpejt do të bëhet faktor relevant në skenën politike të Malit të Zi dhe në mbrojtjen e interesit të shqiptarëve si pakicë nacionale specifike në këtë shtet. Theksojmë serish se do të jemi të hapur për të gjithë shqiptarët të cilët interesin nacional e kanë qellim kryesor, sidomos per të rinjtë e shkolluar të cilët janë të domosdoshëm për projekte të rëndësishme zhvillimore të trevave shqiptare.” kanë shkruar nga UNSH-ja.

/MALESIA.ORG/