Abazoviq: Mbërrinë investitori nga Katari, 70 vende të reja pune në Tuz

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka takuar sot Xhaber Al Mansouri, investiror nga Katari, kompania e të cilit do të merret me prodhimin e frutave dhe perimeve, në të cilën do të punësohen 70 persona nga territori i komunës së Tuzit.

Siç thekson Abazoviq, Mansouri, është një nga liderët në prodhimin e shafranit në Lindjen e Mesme, i cili ka marrë me qira 400 mijë metra katrorë tokë në territorin e Tuzit me qëllim të fillimit të prodhimit bujqësor në këtë komunë.

Siç thuhet, investitori nga Katari e njoftoi kryeministrin me planin dinamik të punës së kompanisë që do të merret me prodhimin e frutave dhe perimeve.

Mansouri theksoi se në dy javët e ardhshme do të vendosen 23 sera dhe do të punësohen 70 persona.

Kryeministri Abazoviq theksoi “se i gëzohet ardhjes së vazhdueshme të investitorëve të cilët e njohin Malin e Zi si vend ideal për investime, por këtë herë në fushën e prodhimit bujqësor”.

Kryeministri u shpreh se investimi i lartpërmendur përveç shtetit është i rëndësishëm edhe për komunitetin lokal, i cili ka mundësi të punësojë dhjetëra qytetarë.

Malesia.org