Hapet panairit i III-të të Librit në Tuz


Në një ambient të rrethuar me krijimtari e në prani të figurave të shquara nga sfera e politikës, artit dhe biznesit dhe të shumë qytetarëve, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj bëri hapjen e ngjarjes më të rëndësishme kulturore në Komunën tonë – Panairit të III-të të Librit!

,, Ndoshta panairi ynë është i vogël, ndoshta ka pak pjesëmarrës, por gjithsesi jemi të bindur se ju si pjesëmarrës, si nga ana e botuesve, ashtu edhe autorëve bashkë me aktivitetet që e pasurojnë panairin ndjeni kënaqësi që jeni këtu me ne, së paku aq sa na nderon prezenca juaj në mesin tonë. Se kjo veprimtari është me rëndësi për ne si Komunë flet edhe vet fakti se edhe ne po paraqitemi për herë të parë si botues me Monografinë për piktorin tonë të madh Gjelosh Gjokaj”, theksoi Gjeloshaj.

Kurse në emër të organizatorit të pranishmëve ju drejtua sekretaria e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, e cila në mes tjerash tha: ,,Padyshim se ky manifestim kulturor ka fituar në peshë, sa e ka merituar mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve nga Tirana dhe Akademisë së Arteve Figurative nga Kosova, sekretarët e të cilëve janë sonte me ne.”

Promovimi i parë i cili u bë dje ishte – Monografia e Maestro  Gjelosh Gjokaj, ku Komuna paraqitet për herë të parë si botues. Redaktori dhe përgatitësi i Monografisë, Sead Gjokaj, përkthyesi i Monografisë në gjuhën shqipe, Nikollë Berishaj, kritiku i artit Shkëlzen Maliqi dhe skulptori Luan Mulliqi ishin pjesë e panelit. Të cilët bënë prezantimin e saj, duke theksuar se ky botim është shumë më i pasur sesa botimi i parë, pasi që ka dy tekste kryesore të shkruara nga Lilana Zekoviq dhe Shkelzen Maliqi, gjithashtu materiali bibliografik është gati i dyfishuar me të dhëna të reja në dallim nga botimi i parë.

Në këtë panair ku marrin pjesë mbi 25 shpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e veriut, Turqia dhe Mali i Zi, të cilat kanë sjellë në Tuz botime të reja dhe ato ekzistuese, këtë vit në Panair gjendet edhe një hapësirë enkas për lexuesit e vegjël të cilët i presin plot surpriza.

Ejani, vizitoni panairin!

P.s. Ju rikujtojmë se Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 13:00 si dhe pasdite nga ora 16:00 deri në orën 23:00, në ambientet e QKI ,,Malësia” në Tuz.

Komuna e Tuzit