Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020 në Mal të Zi veçohen për lëvizje të papara ndonjë herë më parë. Për më pak se dy vite u shkarkuan dy Qeveri, e tashmë është në proces formimi i Qeverisë së tretë.
I vetmi subjekt politik i cili gjatë gjithë kohës mbeti në pushtet është URA e Dritan Abazoviqit, e cila ishte vendimtare në formimin e Qeverisë së parë me bllokun pro-serb/pro-rus, ashtu siç ishte vendimtare edhe në formimin e Qeverisë së dytë me forcat pro-malazeze, me përkrahje të DPS-së, e tashmë përsëri në kthim për formimin e Qeverisë së tretë, me të njëjtat forca nga Qeveria e parë. Këto zgjedhje do të shkruhen në histori për disa fakte – që pas 30 vitesh dërguan DPS-në e Djukanovic-it në opozitë – për të parën herë në histori të Malit të Zi, Kryeministër u bë një pjesëtarë i popullit jo-shumicë dhe – nënshkrimi i marrëveshjes në mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Sot në Parlamentin e Malit të Zi është mbajtur mbledhja e partive që kanë fituar shumicën në zgjedhjet e vitit 2020.
Pas takimit, njëri nga liderët e FD-së, Andrija Mandic tha se është arritur një marrëveshje në lidhje me propozimin për formimin e shumicës së re.
Në takimin e organizuar nga Fronti Demokratik (FD) ku morën pjesë përfaqësues të Demokratëve, GP URA si dhe partive të tjera fituese në zgjedhjet e vitit 2020, u ra dakord për propozimin e një marrëveshjeje, e cila do të çojë në formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.
Andrija Mandic i FD-së, pas mbledhjes së sotme në Kuvend tha se “shumica parlamentare e gushtit 2020 është sërish bashkë”.
Sekretari i Përgjithshëm i GP të URA-s, Zoran Mikic tha se ishte arritur “një lloj marrëveshjeje në parim”.
Kreu i Partisë Popullore Socialiste (SNP), Vladimir Jokovic tha se beson në arritjen e marrëveshjes.
Parimet e bashkëpunimit mes partive të shumicës së vjetër parlamentare do të bazoheshin në respektimin e vullnetit elektoral të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e vitit 2020 dhe synimet do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe parandalimi i çdo rikthimi të DPS-së në pushtet. Qeveria e re do të mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, shumica parlamentare u formua nga koalicionet e mbledhura rreth FD-së, Demokratëve dhe URA-s. Qeveria u zgjodh më 4 dhjetor 2020 dhe kryeministër u zgjodh Zdravko Krivokapic, kryesuesi i listës së FD-së.
Pas krizës së shumicës parlamentare, u votua mosbesim ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapic më 4 shkurt 2022, ashtu që Qeveria e re u formua nga SNP-URA-SDP dhe partitë e pakicës, me mbështetjen e DPS-së, në prill. 28, 2022. Kryeministër u zgjodh Dritan Abazovic.
Një krizë e re e qeverisë ndodhi menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe ndërsa më 19 gusht u votua mosbesimi ndaj qeverisë se Abazoviqit.
/MALESIA.ORG/