Shënohet Dita e Komunës së Tuzit


Në oborrin para ndërtesës së Komunës  u mbajt ceremonia solemne, në nder të 1 Shtatorit – Ditës së Komunës së Tuzit. Në këtë mbrëmje për ne të veçantë, në tapetin e kuq parakaluan  figura të shquara si nga sfera politike (ambasadorë, ministra, deputetë, kryetarë Komunash, etj) ashtu edhe nga ajo kulturore e shkencore të cilët, me prezencën e tyre i’a shtuan rëndësinë ngjarjes në fjalë.

Ceremonia u hap me Himnin Malazias dhe atë Shqiptar, ndërsa këngëtarja Manjola Nallbani në hapje me interpretimin e saj të jashtëzakonshëm të këngës ,,Baresha” na solli divën e paharrueshme të këngës shqipe Nexhmije Pagarushën.

Fjalën e rastit e mbajtën kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj të cilët me përkushtim dhe vullnet të pathyeshëm vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe popullit të vet.

Gjatë mbrëmjes, përveç përformancave të artistëve të mirënjohur, Kastriot Tusha dhe Manjolla Nallbani si dhe artistëve të rinj nga Malësia – Kristjan Bojaj dhe Dea e Mateo Nicaj, u bë edhe ndarja e çmimit ,,1 Shtatori, Dita e Komunës së Tuzit”, çmim të cilin Juria vendosi të i’a japë Nikollë Gegajt dhe Angjella Berishajt.

Risi  në këtë mbrëmje ishte edhe prezantimi i revistës ,,Komuna” – revistë kjo për vetëqeverisjen lokale, e njohur për stilin e saj interesant të shkrimit, që numrin e saj të radhës ia kushtoi plotësisht Komunës së Tuzit. Për herë të parë në historinë e saj, kjo revistë del me të gjitha tekstet në dy gjuhë: në atë shqipe dhe malaziase. Ky numër sonte ishte në dispozicion për të gjithë të pranishmit, të interesuar mësojnë nga faqet e saj diç më shumë për komunën tonë .

Për në fund, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej modest.

Komuna e Tuzit