Ambasadës së Iranit i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga Shqipëria


Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi tha se ky vend qëndron pas sulmit kibernetik që ka ndodhur disa muaj më parë në Shqipëri.

Stafit diplomatik të Ambasadës së Iranit në Shqipëri i është dhënë 24 orë kohë që të largohet nga Shqipëria.

“Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Agresioni është orkestruar nga Irani”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media të mërkurën, duke shtuar se sulmi “është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik dhe që merr masa të tilla.

Sipas kryeministrit Rama, katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri, “ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar”.

Rama tha se objektivi i këtij sulmi ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj aleates së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin veprime të mëtejme për të mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleates së NATO-s dhe vendosin precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson përmes një deklarate.