LDSH përkujton 9 shtatorin e burgosjes së malësorëve në aksionin “Fluturimi i Shqiponjës” dhe themelimin e partisë së parë shqiptare

LDSH përkujton 9 shtatorin e burgosjes së malësorëve në aksionin “Fluturimi i Shqiponjës” dhe themelimin e partisë së parë shqiptare, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.

Lexoni kumtesën e LDSH:
Banoret e Malësisë sot kujtojnë 9 shtatorin e vitit 2006 dhe aksionin famëkeq politiko-policor malazez, të koduar si “Fluturimi i shqiponjës”.

Në këtë ditë, forcat policore të regjimit të atëhershëm, zbarkuan në Malësi, duke kontrolluar shumë shtëpi, torturuar pleq dhe fëmijë, duke arrestuar me këtë rast dhjetëra malësorë, me pretekst se gjoja kishin në plan të ndërmerrnin akte dhe sulme terroriste, ndaj shtetit.

Në të vërtetë, ky vetëm ushtrim i dhunës dhe i forcës ndaj banoreve të pafajshëm, përpos të tjerave duhej të shërbente për të frikësuar banorët e Malësisë në prag të zgjedhjeve që do të mbaheshin një ditë më vonë. Kishin harruar mjeranët se shqiponjat e Malësisë fluturojnë lartë dhe nuk mund të frikësohen nga sorrat përdhese, kështu që, sa u përket zgjedhje, aksioni pati vetëm efekt të kundërt.

Se e gjithë kjo ishte vetëm një proces i trilluar politik, më vonë u vërtetua edhe në Gjyqin Ndërkombëtar në Strasburg, ku Mali i Zi e humbi procesin. Gjithsesi mbetemi kureshtar dhe të interesuar të njohim të gjitha prapaskenat që i paraprinë këtij akti në tentativë për të gjunjëzuar Malësisë dhe për të futur përçarje mes vëllezërve, politikë kjo që ka ndjekur Mali i Zi, me dekada, në raport me shqiptarët.
Ky akt barbar i policisë politike të asaj kohe iu “dhurua” malësorëve si falënderim për ndihmësen e tyre dhe përkrahjen pothuajse plebishitare në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi.

—————————————————————-

Shqiptarët e Malit të Zi sot përkujtojnë edhe 9 shtatorin e vitit 1990-të, kur në Tuz u themelua subjekti i parë politik i shqiptareve në Mal të Zi, në pluralizmin politik-Lidhje Demokratike në Mal të Zi.

Në atë kohë, kur ende në skenë ishte sistemi njëpartiak, komunist, ishte ky një hap i guximshëm, por siç do të konfirmohet më vonë, edhe vizionar, që tregoi se shqiptarët në Mal të Zi dinë dhe duan t’i dalin zot vetes dhe të jenë të barabartë me të tjerët në këtë shtet.

Ajo që duhet apostrofuar kur kujtojmë themelimin e subjektit të parë politik të shqiptarëve është guximi i grupit nismëtar, në krye me Lekë Lulgjuraj, Tahir Gjonbalaj e të tjerë, e ndër ta edhe Nikollë Camaj, sot lider i LDSH-së, që aso kohe u zgjodh Sekretar i kësaj partie.
LDSH përgëzon subjektin e parë politik për këtë përvjetor!

Zyrja për marrëdhënie me publikun