Arrihet marrëveshja, Lekic mandatar – Abazoviq kërkon postet kryesore


Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha të hënën në Uashington se partia e tij kërkon gjysmën e posteve ministrore dhe portofolet e politikës së jashtme dhe sigurisë në një qeveri të ardhshme që të garantohet kursi perëndimor i vendit.

Zoti Abazoviq i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një takimi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit, duke iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me përfshirjen e Frontit Demokratik prorus në koalicionin e ardhshëm.

“Sa i takon formimit eventualisht të qeverisë së re në Mal të Zi, ne jemi ata që garantojmë një kurs perëndimor të Malit të Zi”, tha ai.

Zoti Abazoviq foli pasi u arrit në Podgoricë një marrëveshje në parim që t’i paraqitet presidentit emri i Miodrag Lekic, i partisë Demos për të formuar qeverinë e re, para se të skadonte në mesnatë afati për një gjë të tillë, por ai tha se nënshkrimi i plotë i marrëveshjes varet nga plotësimi i kërkesave të partisë së tij.

“Ne kemi kërkuar që të kemi gjysmën e qeverisë, që të kemi mundësi të udhëheqim, që t’i ruajmë këto gjërat që janë arritjet e Malit të Zi në politikën e jashtme”, tha ai duke shtuar se partia e tij do gjithashtu që të drejtojë ministrinë e jashtme , të brendshme, ministrinë e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë.

“Derisa jemi brenda në qeverinë e re nuk do të ndryshohet asgjë nga ajo që ka qenë politika e jashtme e Malit të Zi deri tani. Njësoj është edhe për sektorin e sigurimit, e kemi spjeguar që ajo është diçka që ne tash e dy vjet jemi duke punuar në atë drejtim: lufta kundër korrupsionit në nivelin e lartë dhe atë do e vazhdojmë edhe nëse formohet qeveria e re”, tha ai.

Ai iu përgjigj zërave që kanë thënë se partia e tij po kërkon shumë, duke thënë se në demokraci ka mendime të ndryshme.

“Por ne do të vemë firmën në moment kur të jemi të sigurtë se çdo gjë është e paraparë dhe çdo është konkretizuar”.

Zoti Abazoviq tha se nëse kërkesat e partisë së tij nuk plotësohen, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e shohin Frontin Demokratik prorus si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane. Kjo parti u përmend gjithashtu në raportin e fundit të SHBA-së, si një nga partitë që ka marrë financime të huaja nga Rusia.

“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, ishte shprehur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës pasi qeveria e zotit Abazoviç humbi votëbesimin në parlament.

/VOA/MALESIA.ORG/