Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, tha se nuk mund të pranojë propozimin që Miodrag Lekic të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, sepse, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.
Djukanovic, në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
“Nuk kam pasur përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, që do t’iu ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”, tha Djukanovic.
Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në gusht të vitit 2020 – Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA – ranë dakord të hënën vonë që Llekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.
Ai, ka theksuar po ashtu, se vetëm kësaj radhe, liderët e koalicioneve të cilët pohojnë se e kanë shumicën nuk i janë përgjigjur ftesës për konsultime.
“Nuk i kanë ofruar as nënshkrimet e shumicës së deputetëve derisa janë ftuar në përvojën e mëparshme e cila është krejtësisht ndryshe. Pra, nuk kam fituar përshtypjen se ekziston shumica e qartë e cila do të ishte në gjendje të formojë Qeverinë e cila do të ofronte zgjidhje për probleme shumë të rënda financiare, ekonomike, juridike, institucionale dhe politike, ka theksuar presidenti, Djukanovic.
/REL/MALESIA.ORG/