Kufizimet i referohen procedurës së zgjedhjes së mandatarit për përbërjen e qeverisë, kompetenca e cila kalon nga Djukanovic tek Qeveria.
Shumica parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi, e përbërë nga Fronti Demokratik (DF), Demokratët dhe Lëvizja Qytetare Ura, miratoi amendamentet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, të cilat kufizojnë kompetencat kushtetuese të Presidentit Milo Djukanovic.
Kufizimet, sipas ndryshimeve të ligjit, i referohen procedurës së zgjedhjes së mandatarit për përbërjen e qeverisë, e cila kalon në shumicën parlamentare, dhe emërimit dhe tërheqjes së ambasadorëve, e cila praktikisht kalon nga Djukanovic tek Qeveria.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Presidenti i Shtetit ka autoritetin ekskluziv për të emëruar mandatarin për përbërjen e qeverisë së re. Mirëpo, pas ndryshimeve të fundit në Ligjin për Presidentin, shumica parlamentare këtë procedurë ia kaloi Kuvendit, në mënyrë që DF, Demokratët dhe Ura të tentojnë edhe një herë që të propozojnë deputetin dhe ish-diplomatin Miodrag Lekic si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Në shtator ata e nominuan Lekiqin për mandatar, por u refuzua nga Gjukanoviq sepse nuk kishin dorëzuar nënshkrimet e mbështetjes për mandatarin brenda afatit të caktuar. Përveç kësaj, ata nuk janë konsultuar me të, edhe pse ishte e paraparë me Kushtetutë.
Në vend të propozimit të mandatarit, Djukanovic kërkoi shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Shumica parlamentare hodhi poshtë propozimin e Djukanovic për zgjidhjen e krizës politike me zgjedhje të reja.