Shqipëria shteti i parë i Ballkanit Perëndimor ku BE-ja organizon Samit

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të 6 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, u ulën sot së bashku në Tiranë, në takimin e dytë sipas këtij formati, por të parin që zhvillohet në një vend jo anëtar.

Para fillimit të takimit u nënshkrua marrëveshja për roaming, me të cilën ulen tarifat e shërbimeve telefonike mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja do të hyjë në fuqi nga 1 tetori i vitit të ardhshëm.

Takimi i nivelit të lartë, shihet si një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se “është hera e parë që mbajmë një takim me Ballkanin Perëndimor, në një nga vendet e rajonit. Jam absolutisht i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe me e begatë me Ballkanin perëndimor, brenda BE-së. Dhe mbështetja që ne duam t’i japim rajonit në raport me krizën energjitike dhe vështirësitë energjitike, të cilat janë pasoja të agresionit rus në Ukrainë, dëshmon angazhimin tonë për të forcuar integrimin dhe bashkëpunimin me rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama mbajtja e takimit në kryeqytetin shqiptar, në një nga vendet e rajonit “është një kthesë strategjike në historinë e BE-së të shumë viteve të fundit, një kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor. Është një kthesë strategjike patjetër e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë në vijim, por është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë”, është shprehur zoti Rama duke e konsideruar po ashtu dhe “një ngjarje të jashtëzakonshme, një ngjarje historike, më të rëndësishmen në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë”.