“Një bisedë ndryshe” me Akademik, Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj


Kjo mbrëmje autoriale trajtoi tema të ndryshme nga kohëra, kontekste e rrethana të caktuara, të cilat Akademik Anton K. Berishaj i ka dokumentuar në forma të ndryshme si libra, studime, analiza shkencore, hulumtime, opinione etj, veçanërisht tema të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë

“Një bisedë ndryshe” u titullua mbrëmja autoriale e organizuar nga QKI “Malësia” në Tuz, me Akademik, Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj.
Kjo mbrëmje autoriale e cila zgjati afro dy orë, u ndoq me shumë interes dhe kërshëri nga një numër i konsiderueshëm i publikut në sallë, i cili herë pas here i parashtronte pyetje Akademikut Anton K. Berishaj, pasi që mbrëmja qe e konceptuar si e tillë, interaktive.


Moderatori i mbrëmjes, Idriz Gjokaj përpara se ta pyeste akademikun mbi tematika të ndryshme që përbënin interes për audiencën, ai shpalosi biografinë e pasur dhe voluminoze të mysafirit të mbrëmjes.


Akademik, Prof. Dr. Anton K. Berishaj, duke kujtuar në mes tjerash kohën e fëmijërisë së tij të hershme, rrugëtimin e gjatë të shkollimit, u ndal tek ajo se përse kishte zgjedhur të studinte degën filozofi-socilogji, duke treguar se arsyeja ishte se asokohe, këto fusha i mungonin shkencës shqiptare.


Z. Berishaj pas shkuarjes në Amerikë në vitin 1992, pas vetëm tre muajsh, edhe pse kohë trazirash, u rikthye në Kosovë për të jetuar dhe vepruar, atje ku përherë e mbështeten dhe e trajtuan mirë, për të dhënë kontributin e tij të mësimdhënies nëpër shtëpia.


“Procesi i organizimit të arsimimit nëpër shtëpia ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse mbajti prindërit në Kosovë, pra, nuk u shpërngulën. Dhe po të kishim hequr dorë që fëmitë të mos arsimoheshin, prindërit nuk i kishin lënë ata pa shkollë, por kishin braktisur Kosovën”, theksoi Berishaj, duke e konsideruar organizimin e mësimdhënies nëpër shtëpia si njërën ndër gjerat më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë në vitet e ’90-ta.


Nga një mori librash që mbajnë autorësinë e Akademikut Anton Kolë Berishaj, objekt dhe në fokus studimi kanë qenë shqiptarët në Mal të Zi, ku në mes tjerash ai ka trajtuar pozitën e gruas, gjakmarrjen, dhe shumë dukuri të tjera, që ai konsideron se vërtetë meritojnë të shkruhen dhe dokumentohen.


Ndër çështjet e shumta që ai ka trajtuar në analizat e tij shkencore, një vend të rëndësishëm zë edhe religjioni. Ai mbi këtë tematikë tha se gjatë viteve 1990/91 në Kosovë, ndodhi një fushatë e pajtimit të gjaqeve.


“Hera e parë në histori ndodhi që u përjetua rrezikimi dhe kërcënimi i secilit shqiptar. U krijua një atmosferë e ndjenjës së përkatësisë së përbashkët, për arsye se ai që vritej, vritej si shqiptar, dhe jo si Anton as si Ismail, as si Xhevat”, tregoi Berishaj.


Ndër çështjet e shumta që u shpalosën në këtë mbrëmje nga opusi i pasur i krijimtarisë letrare dhe shkencore të Anton Kolë Berishajt, ishte edhe disertacioni i doktoraturës (hulumtim empirik), që lidhet me procesin e integrimit të shqiptarëve në Amerikë.


Për Berishajn ky studim përbënte një sfidë të madhe. Më vonë disertacioni do shndërrohej në libër që u titullua “Shndërrimi i etnisë”.
“Amerika ka një diçka që në shkencë quhet “melting pot” (kazan i shkrirjes) dhe kush hyn aty, qoftë irlandez, shqiptar, serb, kroat apo kushdo qoftë, por pas një kohe del amerikan. Pra, shndërrimi i etnisë ndodhë heret apo vonë. Procesi mund të ngadalësohet, mirëpo finalja është e atillë”, theksoi Berishaj.


Kjo mbrëmje autoriale trajtoi tema të ndryshme nga kohëra, kontekste e rrethana të caktuara, të cilat Akademik Anton K. Berishaj i ka dokumentuar në forma të ndryshme si libra, studime, analiza shkencore, hulumtime, opinione etj, veçanërisht tema të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë.


Akademik Berishaj tha se pavarësisht faktit që prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Kosovë, ai asnjëherë nuk është shkëputur nga Malësia, duke treguar për interesimin që ka për fatin e popullatës këtu.


Anton K. Berishaj u lind më 13 korrik 1954, në Priftën, Malësi. Shkollën fillore e kreu në Priftën dhe Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin. Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit, një semestër punoi si profesor i lëndëve filozofi, sociologji, psikologji dhe logjikë në Gjimnazin “Ivo Llola Ribar” në Prishtinë dhe në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz.
Karrierën akademike e filloi në vitin shkollor 1980/81, fillimisht si asistent në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë për lëndët Sociologji e përgjithshme I,II,III, e në periudhën 1987-1997 si ligjërues i lëndëve Sociologji Industriale (më vonë e punës) dhe Strukturës së zvillimit shoqëror. Në vitet shkollore 1997-2004 kishte thirrjen universitare të docentit (profesorit asistent), ndërsa në vitin shkollor 2004-2005 u avancua në thirrjen e profesorit ordinar (të rregullt).


Në vitin shkollor 1983/84 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku u diplomua në vitin shkollor 1986/87. Më 1989, po në kë këtë departament, i regjistroi studimet e doktoratës, të cilat i ndërpreu për shkak të luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, për t’i vazhduar dhe përfunduar pas Marrëveshjes së Dejtonit. Në korrik të vitit 1997 e mbrojti temën e doktoraturës me titull: “Ndryshimet familjare në Malësi”, me fokus të veçantë për procesin e integrimit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Në vitin 1992 e themeloi zyrën e Fondit për Shoqëri të Hapur për Kosovë, më vonë të emërtuar dhe të njohur si “Fondacioni Soros” dhe “KFOS”, të cilën e udhëhoqi në cilësinë e koordinatorit deri në luftën e vitit 1999.
Pas luftës (në vitet 2000-2002) krahas angazhimit mësimor në Universitetin e Prishtinës, u emërua Menaxher lokal i kursit për “Trajtimin psiko-social të traumave”, të financuar nga IOM. Në këtë kurs ligjëruan ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë nga fusha e psikologjisë dhe neuropsikiatrisë, ku u aftësuan dy gjenerata studentësh, shumica prej të cilëve u punësuan në qendra të ndryshme mjekësore anembanë Kosovës.


Më 1998, në cilësinë e profesorit vizitor i mbajti dy ligjërata në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Milanos.
Në vitin 2002 qëndroi një muaj studimi në LSE (London School of Economics).
Në vitet 2002-2005, si bursist i Universitetit të Evropës Qendrore për studime post-doktorale, në cilësinë e profesorit vizitor, mbajti cikle ligjeratash në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik, në Universitetin e Zagrebit të titulluara: “Mbi veçoritë socio-kulturore të shqiptarëve të Kosovës”.

Më 2012 u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në periudhën mars-shtator 2014 ishte ushtrues detyre i Rektorit të Universitetit të Prishtinës.

* Marrë nga Koha Javore