Kryetari i Kuvendit të Tuzit, njëheri edhe drejtuesi i UNSH-Tuz, Fadil Kajoshaj, deklaroi se Administrata e Komunës së Tuzit e ngriti komunën tonë në piedestalin më të lartë zhvillimor në Mal të Zi.
Ai theksoi se Malësia ka ndryshuar, Malësia ka përparuar, Malësia është zhvilluar.
Lexoni postimin e plotë:
Të nderuar bashkëvendas,
Katër vite kanë kaluar shpejt, por në këto katër vite Malësia ka arritur potencialin e saj më të madh, duke u zhvilluar dhe duke arritur prosperitet në të gjitha fushat. Me punë të palodhur dhe vullnet të mirë, administrata e Komunës së Tuzit e ngriti komunën tonë në piedestalin më të lartë zhvillimor në Mal të Zi. Vlen të shikoni vetëm fotot se si dukej Malësia katër vite më parë dhe si duket tani, dhe gjithçka është e qartë. Duke filluar nga modernizimi i infrastrukturës, zhvillimi i sportit, kulturës, turizmit, rritja e potencialit investues dhe ndërtimor në Tuz, rritja e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën, mbështetja maksimale për studentët, të rinjtë, bujqit dhe blegtorët, mbështetja për afarizmin e grave e shumë të tjera.
Malësia ka ndryshuar, Malësia ka përparuar, Malësia është zhvilluar, Malësia është bashkuar. Presioni shtetëror institucional, që rrjedhte që nga koha e sistemit njëpartiak komunist, funksionoi për vite e dekada në dëm të shqiptarëve duke i asimiluar, duke i larguar nga trojet e tyre shekullore dhe duke i dekurajuar për vepra atdhedashëse. Mirëpo, populli ynë, edhe pse i shtypur, nuk u dorëzua kurrë, ata që u larguan nga mëmëdheu, vazhduan ta ndihmojnë atë nga jashtë në çdo mënyrë. Diaspora jone është pasqyra më e përkryer e atdhedashurisë. Ata që nuk u larguan dhe vazhduan jetën në vendlindjen e tyre, edhe pse gjindeshin para sfidave të njëpasnjëshme, gjithmonë e kanë theksuar me krenari emrin dhe mbiemrin e tyre shqiptar. Edhe përpjekjet institucionale për të shtypur Malesinë, me përçarje e ndarje artificiale, rezultuan gjithashtu të pasuksesshme, sepse ne e dëshmuam atë çfarë tha Hilë Mosi: “Vëllezër qem’ e jemi, s’kemi për t’u ndarë, bes e fe ne kemi kombin shqiptar!”.
Malësia është unike, shqiptarët janë të bashkuar. Kjo u pa edhe në vitin 2019 kur arritëm të mposhtim të gjitha këto forca keqdashëse dhe kjo përfundimisht do të vuloset edhe më 5 mars. Shqiptarët e bashkuar janë sinonimi më i përshtatshëm i fitores, suksesit, zhvillimit dhe përparimit. Ne jemi vërtetimi më i mirë i unitetit. Qoftë e ardhmja jonë po aq unike dhe e bashkuar sa kanë qenë këto katër vitet e fundit.
Qofshim gjithmonë të bashkuar drejt fitoreve të reja dhe zhvillimit të mëtejshëm.
Fadil Kajoshaj