Donacionet për institucionet qeveritare, mision i paqartë
Të ofrosh donacione për një institucion buxhetor, siç është Spitali i Tivarit, është jo shumë e pranueshme në opinionin e këtushëm, kur dihet se në sytë e gati të gjithë shqiptarëve që gravitojnë në këtë objekt të kujdesit shëndetësor (Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini) ky spital shihet si një institucion i korruptuar, i cili ka një qasje diskriminuese ndaj tyre dhe ku trajtohen si pacientë të dorës së dytë.
Nga
Ali Salaj
Ndihma materiale dhënë nga mërgimtarët në SHBA dhe në vendet perëndimore vazhdimisht ka ndikuar në zbutjen e problemeve sociale, shëndetësore dhe arsimore te shqiptarët në Malin e Zi. Veprimet e tyre përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e shqiptarëve në vend, duke nxitur sanimin ekonomik dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet në nevojë. Në këtë mënyrë janë ndihmuar nxënës e studentë, familje pa të ardhura dhe nevojtarë të ndryshëm. Ndërkaq me motivin më fisnik dhe më human ndihmuan me dhjetëra familje, të cilëve gjatë pandemisë COVID-19 u vdiqën më të dashurit e tyre. Prandaj ngarkimi me donacione ose fonde të tjera për institucionet qeveritare në Malin e Zi është një mision jo i qartë, që rëndon veprimtarinë humanitare të mërgimtarëve dhe krijon pikëpyetje të ndryshme. Në këtë kuadër mund të kuptohet edhe donacioni për Spitalin e Tivarit i familjes Kurmemaj, realizuar ditë më parë nëpërmjet Fondacionit “Trojet Tona”.
Sipas lajmit që u transmetua nëpër disa media në gjuhën shqipe, por edhe në ato malazeze, bëhet fjalë për një donacion me pajisje për repartin e pediatrisë dhe të terapisë fizikale në vlerën 150.000 euro. Të ofrosh donacione për një institucion buxhetor, siç është Spitali i Tivarit, është jo shumë e pranueshme në opinionin e këtushëm, kur dihet se në sytë e gati të gjithë shqiptarëve që gravitojnë në këtë objekt të kujdesit shëndetësor(Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini) ky spital shihet si një institucion i korruptuar, i cili ka një qasje diskriminuese ndaj tyre dhe ku trajtohen si pacientë të dorës së dytë.
Në trajtimin e pacientëve shqiptarë nga stafi i këtij spitali, rol vendimtar luan pashmangshëm fuqia e dhënies së ryshfetit (korruptimit), duke filluar nga roja te dera, infermieret dhe deri te specialistët mjekësorë. Kur kësaj ia shtojmë faktin se disa institucione shëndetësore në Mal të Zi, në vend që të vihen në shërbim të humanizmit duke respektuar betimin e Hipokratit, për çdo ditë e më shumë po politizohen dhe po instrumentalizohen për interesat e caktuara politike. Kështu, fjala vjen, në hollin e Spitalit të Podgoricës dominon gravura në bakër e “Vajzës kosovare” (Kosovska devojka), e cila simbolizon nacionalizmin e skajshëm serb dhe mitin e tyre të rrejshëm për shqiptarët dhe Kosovën, gjë e cila lë një shije të hidhur për degradimin e këtyre institucioneve shëndetësore.
Në një ambient të këtillë vetvetiu lindin dilemat se sa do të jenë funksionale këto donacione dhe a ka mundësi që në një të ardhme të shkatërrohen ose të tjetërsohen për interesat e ndokujt?! Këto ndjesi i bazojmë edhe në rastin e mërgimtarit dhe mjekut të njohur, Bahri Ceka, i cili para disa vitesh ndihmoi Shtëpinë e Shëndetit në Katërkollë të Anës së Malit me një autoambulancë me pajisje bashkëkohore për emergjencë. Në ceremoninë e dorëzimit, ku morën pjesë politikanë dhe punonjës shëndetësorë u theksua se ky donacion “do të kontribuojë në ngritjen e nivelit të mbrojtjes shëndetësore”. Por vetëm pas disa muajve autoambulanca u shkatërrua dhe humbi pa gjurmë!
Nisma për t’i ndihmuar institucionet buxhetore, qofshin ato shëndetësore apo arsimore, është e pajustifikueshme edhe nga fakti se shqiptarët në Mal të Zi janë taksapaguesit më të rregulltnë vend, prandaj kanë të drejtën bazë të shërimit dhe të arsimimit si të gjithë qytetarët tjerë në Malin e Zi. Po ashtu shqiptarët pa mëdyshje mbështetën dhe kontribuan në pavarësinë e Malit të Zi dhe janë edhe sot populli më lojal në vend.