Zgjedhjet e marsit dhe procesi i filluar në mars, katër vite më parë


Komuna e Tuzit është në prag të zgjedhjeve lokale, që pritet të jenë zgjedhjet më të qarta deri me tani.


Shkruan: Robert Gj. Ivezaj


Malësia, me kryeqendër Tuzin, e fitoi statusin e Komunës në vitin 2018, ndërkaq zgjedhjet të cilat janë caktuar të zhvillohen më 5 mars 2023, do të jenë zgjedhjet e dyta lokale të zhvilluara në këtë komunë. Këto zgjedhje pritet të jenë më të qartat që nga viti 2006, kur për herë të parë u zhvilluan zgjedhje në Malësi, si njësi e veçantë lokale, gjegjësisht, Komunë urbane.

Ndërsa mandatit të parë katërvjeçar të pushtetit të Komunës së Tuzit po i vjen fundi, dita e zgjedhjeve lokale është gjithnjë më afër dhe tashmë ka filluar fushata zgjedhore.

Por le ti kthehemi një analize të shkurtë sipërfaqësore nga këndi i opinionit të pavarur dhe i liruar nga emocionet partiake.

Pushteti – qytetari

Për t’u fituar statusi i vetëqeverisjes lokale, u kalua për një proces të stërzgjatur dhe të projektuar me qëllim për të dështuar. Ashtu si gjatë kohës kur Malësia ishte nën Komunën e Podgoricës e deri tek eksperimenti “Komunë Urbane”, Malësia u la pasdore dhe u mbajt peng i interesave dhe lojërave politike të partisë në pushtet (DPS-së) por edhe e partnerëve të saj lokal, të asaj kohe.

Por që një shoqëri të zhvillohet, ndryshimet e pushteteve janë procese të domosdoshme. Aty ku pushtetet nuk ndërrohen, nuk ka shoqëri të shëndoshë dhe ka mungesë të demokracisë.
Përderisa është natyrshme që pushtetarët gjithmonë pretendojnë të rrinë në pushtet sa më gjatë, qytetari me votën e tij përkrahë atë forcë politike e cila e përfaqëson interesin e tij, ose s’pakut atë forcë politike që është më e përafërt me interesin e qytetarit. Kjo shpesh nënkupton përkrahje për një opsion të ri, për një alternativë më të mirë, gjegjësisht ndryshim pushtetesh por dhe sistemesh, gjë e cila në Malësi si proces filloi katër vite më parë.

Nga regresi drejt progresit

Pushteti aktual i Komunës së Tuzit, gjatë këtij katërvjeçari të vetëqeverisjes, mund të ketë treguar edhe dobësi e të ketë shkaktuar pakënaqësi te qytetari. Shkaktar i pakënaqësisë mund të jenë faktor të natyrave të ndryshme; mosrealizim premtimesh, keqmenaxhim në sektorë të caktuar, por edhe nga pritshmëritë joreale që qytetari mund të këtë karshi një pushteti lokal, në një sistem politik ku pushteti ende është në nivel të lartë i centralizuar.
Megjithatë, edhe përkundër të metave që ky pushtet mund të ketë treguar, edhe përkundër natyrës që gjithmonë – dua më mirë dhe dua më shumë, gjatë këtij katërvjeçari të parë të vetëqeverisjes së Komunës, u bë progres. Përpos që u vunë themelet e një administrate funksionale, u realizuan projekte jetike dhe njëkohësisht u dëshmua që Komuna jonë mund të mbijetoi dhe të zhvillohet ekonomikisht. Për një kohë të shkurtë u realizuan projekte të cilat kanë impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. E vërtet se pjesa më e madhe e atyre investimeve kanë të bëjnë me kushte bazike fundamentale të një shoqërie, kushte të cilat ndoshta duhet të ishin realizuar në shekullin e kaluar, por kjo është një temë tjetër.
Pavarësisht se sa modeste këto investime mund të duken, nëse bëhet krahasim progresi i kësaj periudhë katërvjeçare, me katër apo edhe tetë vite më parë, investimet në katër vitet e fundit janë shumëfish më të mëdha.

Gara për pushtet

Edhe pse në një gjendje mjaft ndryshe krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, edhe në këto zgjedhje në garë për pushtet janë dy grupacione. Koalicioni i subjekteve shqiptare, Forumi Shqiptar, që aktualisht është në pushtet, në njërën anë, dhe koalicioni i partisë më të madhe opozitare, DPS-ja, në anën tjetër. Pavarësisht se në këto zgjedhje marrin pjesë shtatë lista, listat tjera realisht nuk janë në garë të drejtpërdrejt për të fituar zgjedhjet. Ato njëherësh luftojnë për të kaluar pragun zgjedhor duke shpresuar për në një rezultat të ngushtë në mes të dy listave kryesore, që eventualisht të përfitojnë nga situata. Megjithatë në realitetin e ri, nuk do të ishte reale të zhvillohet garë me rezultat të ngushtë në mes këtyre dy krahëve.

Kredabiliteti dhe përgjegjësia

Të kërkosh votë, duhet të kesh kredibilitet, e DPS-ja nuk ka fare kredibilitet për të kërkuar votë në Malësi. Përkundrazi, kjo parti është përgjegjëse për pafund çështje në dëm dhe llogari të Malësisë. Gjatë dekadave që kjo parti ishte pushtet, Malësia pësoi degradim të vazhdueshëm në çdo fushë.
Në anën tjetër, kjo parti tashmë gjendet në krizë të thellë dhe që dy vite është në ramje konstante. E ka humbur pushtetin qendror pas 30 vitesh dhe ka humbur pushtetin lokal në 20 nga 25 komunat sa gjithsej janë në Mal të Zi.
Një votë për këtë parti dhe koalicionin rreth sajë në këtë moment, nënkupton një hap pas.
Kur flasim për kredibilitet, DPS-së i mungonte edhe në të kaluarën, por ajo posedonte një aparaturë të tërë shtetërore, përmes të cilës siguronte votat. Përveç asaj, kishim subjektet shqiptare të çorientuara e të përçara, që vetëm e bënte më të lehtë depërtimin dhe dominimin e asaj aparaturë shtetërore.
Kjo gjendje e subjekteve shqiptare reflektonte që elektorati të jetë i luhatshëm kurse vota të trajtohet si fletë e jo vlerë.
Koalicionet e partive shqiptare u krijoheshin në mes përplasjesh, me shumë vështirësi dhe në momentet e fundit, që nuk jepnin shije bashkimi e uniteti, por perceptohej si mekanizëm për të mbijetuar politikisht.

Fatmirësisht sot kemi një situatë ndryshe, ndoshta edhe hera e parë ku kemi një koalicion të partive shqiptare kompakt, i arsyetuar dhe funksional. Një bashkim të natyrshëm i cili ndërtoi një administratë stabile dhe reflektoi në ruajtjen e frymës ndërvëllazërore. Ky proces i filluar katër vite më parë, shënoi një faqe të re të politikës tonë dhe një kthesë e cila nuk guxon të ndalet këtu!


Robert Gj. Ivezaj, politolog