Të nderuar qytetarë të Malësisë,
Në zgjedhjet lokale të 5 marsit për Komunën e Tuzit, prej 7 listave, 2 do të luftojnë për ta marrë pushtetin : ajo e partive shqiptare, të mbledhura rreth Forumit Shqiptar, me numër 5 , dhe tjetra e partive malazezo-boshnjake me një copë të mbetur të UDSH-së, të mbledhura rreth DPS, me numër 2.
Unë vë bast, pra jam i sigurt, se fitues do të dalë Forumi Shqiptar. Pse?
Së pari, për arsye se votuesi e ka kuptuar se Malësia duhet të jetë ashtu siç e ka dhënë Zoti : tokë shqiptare, me shumicë shqiptare , e qeverisur prej partive shqiptare.
Së dyti, sepse partitë shqiptare janë dëshmuar se dinë të udhëheqin dhe se duan ta zhvillojnë vendlindjen e tyre. Më shumë kanë punuar ato për një mandat se sa DPS për disa sosh, kur e kishte pushtetin.
Së treti, sepse në krye të listës së partive shqiptare është kryetari aktual i Komunës, z.Nikë Gjeloshaj, i cili në mandatin që po kalon është profilizuar si menaxher i shkëlqyeshëm, në krye të ekipeve të shkolluara e profesionale të admistratës lokale.
Nga ana tjetër, në krye të listës së partive malazeze është z.Elez Nikoviq, i cili deri në moshën e vet gati 70 vjeçare, nuk ia ka dalë të ketë pas vetes as një post të suksesshëm politik dhe asnjë kontribut publik për të mirën e shqiptarëve në Malësi, as në Mal të Zi.
Pse do të humb dhe pse është e kot të votohet për listën e DPS?
Së pari, sepse DPS-së i është thyer qerra. Jo me fajin e partive shqiptare, por për mëkatet e veta, ajo tashmë ka humbur Qeverinë dhe Podgoricën. Ajo nuk dinë çka e pret nesër, e jo më të merret me zhvillimin e Malësisë.
Së dyti, sepse ajo në Malësi po tregon mungesë të normave demokratike evropiane dhe mungesë të korrektësisë politike e shtetërore. Po synon, së koti, t’ua marrë pushtetin partive shqiptare në një komunë ku shqiptarët janë shumicë, edhe pse liderët e partive shqiptare, në projektin më të rëndësishëm politik e shtetëror në historinë më të re të Malit të Zi, Referendumin e Pavarësisë, e kanë ndihmuar më shumë DPS-në shtetformuese të presidentit Gjukanoviq se sa të gjithë shqiptarët që janë anëtarë të saj, duke parë në këtë projekt edhe interesin jetik të shqiptarëve, në Mal të Zi e në rajon.
Në mitingun përfundimtar, para ditës së Referendumit, ka folur dhe është mirëpritur lideri i një partie shqiptare, e jo ndonjë shqiptar i DPS-së sepse, ai ka pasur më shumë peshë.
Veç kësaj, në të gjitha demokracitë evropiane, madje edhe në shtetet e rajonit, pakicat mbajnë pushtetin në komunat ku janë shumicë.
Së treti, DPS me 10 mandate nga zgjedhjet e shkuara, po luan me një copë të një partie shqiptare, duke i lënë vendin në krye të listës, kandidatit të saj, Elez Nikoviq, i cili i posakthyer nga diaspora, po të dilte vetëm, zor se do të merrte 1 mandat. Për më tepër, kur ky ishte në diasporë kishte deklaruar se atje e kishin përzënë politikat e mbrapshta e diskriminuese të DPS-it dhe se zhvillimi i Malësisë duhet të jetë në duart e Forumit Shqiptar.
Nga kjo, në të vërtetë, shihet se edhe vetë DPS, e vetëdijshme se në zgjedhjet e 5 marsit në Malësi do të dështojë rëndë, djeg Elezin e UDSH-së e jo ndonjë lider lokal të vetin.
Andaj, i ftojmë kundërshtarët politikë që të mos koriten me deklarata të pavërteta e sjellje të pahijshme. Sepse, edhe pas 5 marsit, në Malësi do të jetojmë të gjithë së bashku, të qeverisur nga dora e sigurt dhe e drejtë e partive shqiptare.
Po. Më 5 mars do të fitojë lista me numër 5.
Lista e Forumit Shqiptar.
Edhe shorti i ka lidhur këto dy 5-she.
Ferhat Dinosha
Forumi shqiptar