Me parakalimin e FSK-së dhe Policisë, Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës, në shënimin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Qytetarë të shumtë ndoqën këtë ngjarje, teksa në Kosovë po mbahen manifestime të ndryshme për të shënuar 15-vjetorin e shtetësisë.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se përgjatë 15 vjetëve të shtetësisë, Kosova është forcuar si vend i ri.

“Kosova ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve”.

Kur ka folur për sfidat – brenda dhe jashtë territorit– ajo ka thënë se ato e kanë forcuar qëndrueshmërinë e shtetit.

“Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike”.

Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.

“Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndjejmë dhe të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka thënë ajo.

Kur ka folur për aleatët, ajo ka përmendur se “siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimeve evropiane me ndihmën e tyre”.

Përgjatë fjalimit të saj, ajo e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog. Një epilog që e kemi thënë secili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti [amerikan, Joe] Biden në letrën që është drejtuar mua si presidente, e ajo është njohja reciproke”.

“Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridike dhe sovraniteti jonë janë të panegociueshme”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Kurti: Kosova është shembull i mirë i demokracisë

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e shtetësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe.

“Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”.

Ai ka përmendur dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës: trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja.

“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.