Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi – Cilin kandidat do të mbështesin subjektet shqiptare?

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi do të zhvillohen më 19 mars 2023.
Për të fituar zgjedhjet në raundin e parë, kandidati duhet të fitoj më shumë se 50% të votave, prandaj pothuajse është e sigurt se do të shkohet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në raundin e dytë do të kalojnë dy kandidatët të cilët do të fitojnë më së shumti vota.

Në garën zgjedhore janë shtatë kandidatë për president, ndërkaq nga subjektet politike shqiptare ende nuk janë deklaruar se cilit kandidat do ti japin mbështetjen.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dje është deklaruar se partia e tij do të përkrahë kandidatin e Demokratëve, Alleksa Beçiqin.

Nga opozita, kandidat për president është presidenti aktual dhe kryetari i DPS-së Millo Gjukanoviq.

Gjukanoviq ishte për 32 vjet në pushtet dhe është i lidhur korrupsion e një sërë skandalesh rreth llogarive të tij personale, kredive, kompanive jashtë vendit dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së.

Tjetër kandidat nga opozita është deputetja Draginja Vuksanoviq – Stankoviq. Ajo është është kandidate e Partisë Socialdemokrate e cila është ideologjikisht e afërt me DPS-në e Gjukanoviqit.
Vuksanoviq – Stankoviq fitoi 8.3 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Nga ana tjetër, partitë e shumicës parlamentare marrin pjesë me tre kandidat.

Andrija Mandiq është kandidati i aleancës më të madhe të shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-serb, i cili prej vitesh angazhohet për tërheqjen e vendit nga NATO, tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat Mali i Zi i vendosi në vitin 2014 dhe në vitin 2022, duke ndjekur politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Në të njëjtin kurs është edhe Goran Danilloviq, lideri i Bashkimit (Ujedinjenje), i cili ka një deputet në Parlament dhe është pro tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndryshe nga ta është Alleksa Beçiq, lideri i Demokratëve, i cili votoi për miratimin e rezolutës me të cilën Mali i Zi dënoi agresionin rus kundër Ukrainës. Kjo parti mbështet integrimet euroatlantike të Malit të Zi.

Gjithashtu, në garën zgjedhore është edhe Jakov Millatoviq, Lëvizja Evropa Tani (PES) e të cilit është parti joparlamentare, e themeluar para zgjedhjeve në Podgoricë, në tetorin e vitit 2022, në të cilat kjo lëvizje shënoi sukses.

/MALESIA.ORG/