UDSh dhe PD mbështesin Gjukanoviqin, pritet të deklarohen Forca dhe Forumi Shqiptar nëse do të përkrahin një kandidat

Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSh) dhe Partia Demokratike (PD) janë deklaruar se mbështesin Millo Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale të cilat zhvillohen ditën e dielën më 19 mars 2023.

Sipas UDSh-së, nuk ka kandidat më të mirë se Millo Gjukanoviq.

“Nuk ka kandidat më të mirë se presidenti aktual Millo Gjukanoviq. Për dallim nga të tjerët, UDSh-ja nuk ka ndërmend të ndryshojë partnerët e koalicionit çdo ditë”, tha kryetari i UDSh-së Mehmed Zenka.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka ka deklaruar mbështetjen e tij për Gjukanoviqin.

“Këto janë zgjedhje presidenciale dhe Gjukanoviq është zgjedhja jonë logjike”, ka thënë Gjeka.

Presidenti aktual Millo Gjukanoviq ishte për 32 vjet në pushtet dhe është i lidhur me korrupsion e një sërë skandalesh rreth llogarive të tij personale, kredive, kompanive jashtë vendit dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së.

Nga Forca ende nuk kanë një qëndrim zyrtar në lidhje me mbështetjen për një kandidat presidencial.

As nga Forumi Shqiptar (Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar) ende nuk janë deklaruar se a do të përkrahin ndonjë kandidat.

/MALESIA.ORG/