Dy ditë pasi humbi zgjedhjet presidenciale më 2 prill, Inspektorati Ndërtimor i Ministrisë së Ekologjisë dhe Urbanizmit në Mal të Zi urdhëroi Millo Gjukanoviqin që brenda 20 ditësh të rrënojë dy shtëpi të ndërtuara ilegalisht në pronën e familjes në fshatin Koçan, jo larg qytetit të Nikshiqit.
Gjukanoviq ka mbajtur poste udhëheqëse shtetërore për më shumë se tri dekada. Në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 2 prill, ai është mposhtur nga Jakov Millatoviq nga Lëvizja Evropa tash.
“Objektet janë ndërtuar në kundërshtim me planin e vlefshëm hapësinor-urban të Komunës së Nikshiqit. Nëse Gjukanoviq nuk i rrënon në afatin e paraparë, atë do ta bëjë shteti me shpenzimet e tij”, thuhet në vendimin e Ministrisë, të datës 4 prill, të publikuar në llogarinë në Facebook të Lëvizjes Qytetare URA.
Ministrinë e udhëheq një zyrtare e kësaj partie, Ana Novakoviq Gjuroviq.
Udhëheqësi i Lëvizjes URA dhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë më 5 prill se vendimi për rrënimin e objekteve të Gjukanoviqit, nuk ka të bëjë me zgjedhjet.
“Inspektorati duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe pyetja për Gjukanoviqin është: përse ka ndërtuar ilegalisht”, është shprehur Abazoviq.
Ai ka thënë se Gjukanoviq i ka 20 ditë kohë për t’i rrënuar objektet ilegale.
“Të mos dalim në terren e t’i prishim. Ai e ka mundësinë që t’i heqë vetë ato, si një qytetar i përgjegjshëm”, ka thënë Abazoviq.
Millosh Nikolliq, nga Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, e ka cilësuar paralajmërimin për shembje si dhunë institucionale dhe hakmarrje e “një kryeministri të dështuar”.
/REL/MALESIA.ORG/