Shkruan: Qani Osmani
Ballkani do të qetësohej, mbase edhe përfundimisht do të shmangej frika permanente e shpërthimit të fuçisë së barotit, vetëm nëse zgjidhet çështja shqiptare dhe ajo serbe, dy çështje këto që tashmë duken se janë në horizont të agjendave politike të SHBA-së dhe BE-së. Por, a është e mundur të zgjidhet çështja shqiptare kur dihet se ata janë të shpërndarë në më shumë shtete, disa prej të cilave janë edhe pjesë e strukturave euro-atlantike?
Pavarësisht se janë të shpërndarë në më shumë shtete, shqiptarët kanë një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Pra, kanë një identitet. Por, edhe përkundër përpjekjeve të shumta për t’i ndarë shqiptarët në disa “popuj” (shqiptarë, kosovarë, shqiptarë maqedonas, etj.), siç është rasti me sllavët e jugut, të cilët, edhe pse thonë se kanë identitet të ndryshëm, megjithatë ata nuk mundën ta ndryshojnë gjuhën që e flasin dhe që është pothuaj e njëjtë.
Nga ana tjetër, është edhe një fakt, mbase një përpjekje sublime shekullore e shqiptarëve për t’u bashkuar brenda një territori dhe që, pavarësisht se në ç’formë, është një proces i natyrshëm. Janë shumë arsye që e imponojnë nevojën e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve pa cenuar integritetin territorial të shteteve ku ata jetojnë. Më në fund, nëse edhe Ballkani i hap kufijtë sipas modelit evropian, atëherë frika nga “gogoli” shqiptar vetvetiu do të avullohet, ndërkaq shqiptarët do të mund të kenë një abetare, një histori, një letërsi dhe, përgjithësisht, një kulturë, gjë që do të eliminonte shumë barriera ndërshqiptare. Ideja e formimit të një lige të përbashkët në basketboll midis Shqipërisë dhe Kosovës është vetëm një sprovë për t’i eliminuar të gjitha paragjykimet dhe implikimet e politikës edhe aty ku realisht nuk e ka vendin.
Formulimet e ndryshme, si nisma të reja për ta kthyer Ballkanin në një model bashkëpunimi si “Mini-Shengen” ose të ngjashme, nuk duhet të jenë edhe shumë shqetësuese, me kusht që të mos cenohet indi shqiptar. Në të kundërtën, do të konsiderohet vetëm edhe një eksperiment për përdorim të politikës ditore. Ata që u prijnë Shqipërive tona (siç do të thoshte Kim Mehmeti), duhet t’i kenë parasysh faktet historike që janë në anën tonë, por edhe idealet e mijëra shqiptarëve që e sakrifikuan jetën e tyre vetëm e vetëm që shqiptarët të kenë një adresë dhe një perspektivë të njëjtë.
Përfundimisht bota është bindur se shqiptarët nuk janë element destabilizues, siç i paraqiste dhe vazhdon t’i paraqesë propaganda serbo-sllave (dhe komuniste), por element kooperues dhe kontribuues i arritjes së paqes përfundimtare në Ballkan.
Problemet e jashtme që ndërlidhen me shqiptarët, janë të njohura me kohë dhe në këtë drejtim deri diku (dhe në periudha të ndryshme) janë përdorur mekanizma mbrojtjeje. Por, cila është gjendja e brendshme, përkatësisht në ç’gjendje është bashkëpunimi ndërshqiptar?! Pikërisht këtu duhet kërkuar problemin që na ka katandisur të jemi, siç themi shpesh, pikë e pesë. Mungon vullneti i brendshëm që t’i vëmë çështjet në binarët e trenit shqiptar. Shqiptarët e duan Zotin, por nuk e duan njëri-tjetrin.
Në politikën shqiptare premtimi zakonisht përfundon në harresë, kurse kjo tregon se harresa është bërë mekanizëm institucional. Po të ishte e kundërta, ndryshimet jo vetëm që do të ishin të dukshme, por edhe të prekshme. Politika shqiptare, fatkeqësisht, në tërë hapësirën ku vepron, është jo vetëm e polarizuar, por edhe e përçarë, kurse shoqëria shqiptare sikur parapëlqen ta marrë rolin e një mase amorfe. Kjo katandisje patjetër se u përgjigjet atyre që e duan elementin shqiptar sa më të fragmentarizuar, kurse kjo situatë po reflektohet dukshëm në aspektin psiko-social të njerëzve të rëndomtë, përkatësisht te të rinjtë, të cilët kanë vetëm një synim: të ikin një orë e më parë atje ku mendojnë se kanë perspektivë.
Politika shqiptare vazhdon të jetë e keqja e vetvetes dhe asesi ta gjejë recetën e unifikimit për çështje jetike, të cilat do të na fuqizonin, sidomos në planin e jashtëm. Prandaj, nevoja për një veprim të përbashkët në sferat ku nuk cenohen interesat e askujt është e domosdoshme. Askush nuk na pengon në projektet e përbashkëta kulturore, që do ta mbanin shenjën kombëtare. Është koha e rishkrimit të historisë sonë dhe çlirimit nga historia komuniste, është koha e rishkrimit të historisë së letërsisë, natyrisht pa ndarje të llojit letërsi shqiptare, letërsi kosovare, letërsi e shqiptarëve të Maqedonisë e kështu me radhë. Letërsia shqiptare është një dhe vetëm në këtë mënyrë duhet të trajtohet. Si një dhe e pandashme duhet të trajtohet edhe folklori, arkeologjia dhe kështu me radhë.
Nëse këto që i përmendëm më sipër i trajtojmë veç e veç, si pjesë të kulturës ku shqiptarët jetojnë, atëherë vlerat kulturore jo që nuk do të vinin në shprehje, siç në fakt është aktualisht, por rrezikojnë që të minimizohen ose thjesht të ngulfaten. Nëse vazhdojmë të mbetemi konformist, atëherë kjo do të thotë se ne me pavetëdije mbetemi në shërbim të agjendave të ndryshme anti-shqiptare.
Është pikërisht momenti i hapjes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të qendrave botërore të vendosjes, moment kyç për ta çuar dialogun një shkallë më lart dhe për t’i dhënë një dimension më pragmatik zgjedhjeve së dy çështjeve në Ballkan, çështjes shqiptare dhe çështjes serbe, duke e shtruar nevojën që fillimisht bashkimi i shqiptarëve të bëhet në planin shpirtëror, pra në planin e vlerave kulturore shqiptare, vlera të cilat absolutisht nuk rrezikojnë askënd në Evropën Juglindore. Duhet të dimë çfarë të kërkojmë, por edhe ta argumentojmë me fakte të qëndrueshme, për të cilat fatmirësisht nuk ka kundër-argumente të qëndrueshme.
Në të kundërtën, sherrin do t’ia shohim vetvetes dhe nuk do të kemi të drejtë morale ta arsyetojmë vetveten, duke i akuzuar të tjerët, përfshirë edhe palën serbe, së cilës i shkon për shtati përçarja ndërshqiptare në zgjidhjen e detyrave që dalin nga projektet e famshme institucionale anti-shqiptare.