Gjeloshaj: Nuk ka parti shqiptare me të cilat do të bënim koalicion

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Alternativa Shqiptare (ASh) do të marrë pjesë në koalicionin Forumi Shqiptar, është shprehur Nik Gjeloshaj, kryetari i Komunës së Tuzit, njëkohësisht kryetar i ASh-së

Gjeloshaj për emisionin “LINK”, të Radios së Malit të Zi ka thënë se për zgjedhjet parlamentare nuk beson se do të ketë zgjerime të mëdha të Forumit dhe sipas gjitha gjasave Forumi do të jetë në të njëjtën përbërje ashtu siç ishte në zgjedhjet lokale në Tuz të zhvilluara muajin e kaluar.

Forumi Shqiptar përbëhet nga Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar.

“Është vështirë të mendohet se do të ketë zgjerime të mëdha të forumit deri në dorëzimin e listave zgjedhore. Nuk jemi të gatshëm për kompromise të kalbura me politikanë, të cilët kanë qenë të pasuksesshëm. Forumi është i njohur si një dëshmi suksesi dhe në bazë të këtyre parametrave nuk ka parti shqiptare me të cilat do të bënim koalicion”, ka thënë Gjeloshaj.

Ai tha se nuk dëshirojnë të vendësen në të njëjtin kosh me liderët që nuk japin rezultate.

“Arsye e kësaj janë liderët disa-dekadash të subjekteve të tjera, të cilët nuk kanë dhënë rezultate për qytetarët, përveç për vetën e tyre dhe nuk dëshirojmë të vendosemi në të njëjtin kosh”, ka pohuar ai.

Ai konsideron se në Forumin Shqiptar janë përfaqësues autentikë të shqiptarëve dhe në këtë moment nuk mendojnë për koalicion me ndonjë parti në nivelin shtetërore.

/MALESIA.ORG/