Komuna e Zetës do të anulojë njohjen e pavarësisë së Kosovës në territorin e kësaj komune?

Këshilltarët e koalicionit “Për të ardhmen e Zetës” në Kuvendin e Komunës së Zetës, para dy ditësh kanë propozuar që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal të kësaj komune, të miratohet një  rezolutë për anulimin dhe pavlefshmërinë e vendimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës në territorin e kësaj komune.

Këtë iniciativë, që mund të duket edhe si qesharake, e ka konfirmuar gazeta “Vijesti” në numrin e 28 prillit.

Koalicioni “Për të ardhmen e Zetës” i udhëhequr nga Fronti Demokratik ushtron pushtetin në Komunën e Zetës, ndërkaq propozimin për këtë rezolutë u përkrah dje edhe nga Partia Demokratike Popullore në krye të së cilës ndodhet Milllan Knezehviq.

“Përkundër faktit se mbi 85 për qind e qytetarëve malazezë ishin kundër njohjes së shtetit të Kosovës dhe përfshirjes në organizatat ndërkombëtare, sepse kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveritë e Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviqit vazhduan me politikën e jashtme të Millo Gjukanoviq dhe Dushko Markoviq, e cila është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike Popullore.

Siç shkruan gazeta Vijesti, në Partinë Demokratike Popullore presin që të njëjtën rezolutë ta miratojnë edhe komunat e tjera, në të cilat janë në pushtet partitë e ish-mazhorancës së 30 gushtit.

/MALESIA.ORG/