Nik Gjeloshaj, rizgjedhet kryetar i Alternativës Shqiptare

Në Kuvendin e 4-të të Alternativës Shqiptare (ASH), Nik Gjeloshaj rizgjedhet kryetar i partisë.


Në Kuvendin e zhvilluar sot (6 maj 2023), në pjesën ceremoniale të Kuvendit morën pjesë të ftuar nga vendi dhe rajoni.

I pranishëm ishte Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, përfaqësues të partive politike që veprojnë në Mal të Zi, përfaqësues nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në pjesën e punës, Kuvendi miratoi Statutin dhe Programin Politik të Alternativës shqiptare, u zgjodh kryetari i partisë, Këshilli Qëndror, si dhe Komisioni Statutor dhe Komisioni Mbikëqyrës.

Pë kryetar të partisë, unanimisht u rizgjodh Nik Gjeloshaj.

“Jam krenar për gjithçka që kemi arritur, duke punuar me përkushtim dhe përgjegjësi për zhvillimin, avancimin dhe përparimin e popullit shqiptar në Mal të Zi. Frytet e punës sonë janë të shumta, duke filluar nga ngritja e standardit të jetesës, faktorizimi, integrimi dhe përfshirja e popullit shqiptar në vendimmarrje.
Jam shumë i kënaqur që Kuvendi sot miratoi statutin e ri modern, i cili për nga përmbajtja është një nga statutet politike më demokratike në vend dhe rajon. Partia jonë, duke promovuar vlera shembullore demokratike, ka përcaktuar se një person mund të jetë kryetar partie vetëm për dy mandate, gjë e rrallë kjo, veçanërisht në Ballkan. Meqenëse ky është mandati im i dytë, në kuvendin e ardhshëm pas katër vitesh, Alternativa shqiptare do të fitojë një kryetar të ri”, ka shkruar Gjeloshaj.

 

/MALESIA.ORG/