Këshilli Administrativ propozoi shkarkimin e Muhamed Gjokajt

Propozohet shkarkimi i Muhamed Gjokajt nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasje të Lirë të Informatave.

Këshilli Administrativ ka propozuar sot që Kuvendi të shkarkojë Muhamed Gjokaj, anëtar i Këshillit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasje të Lirë të Informatave, me arsyetim se ka shkelur Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, raporton Radiotelevizioni i Malit të Zi.

Më 18 prill, kryetari i Komisionit Dragan Krapoviq paraqiti iniciativën për shkarkimin e Gjokajt për shkak se vëllai i tij, Husein Gjokoviq, ishte këshilltar në Kuvendin Komunal të Tuzit, që siç ka pohuar ai, është kundër Ligjit.

Në sqarim thuhet se Gjokaj poashtu iu bashkua fushatës nga pozita e anëtarit të Këshillit të Agjencisë, në favor të subjektit politik dhe të tij.

Një ditë më vonë, Këshillit ju dorëzua dorëheqja e këshilltarit të Listës për Tuz, Husein Gjokoviqit nga pozita e këshilltarit në Kuvendin Komunal të Tuzit, kurse më vonë ky trup parlamentar mbajti seancën konsultative me Gjokajn.

Muhamed Gjokaj tha se ka punuar në mënyrë transparente dhe se mendon se procedura ndaj tij është dashur të ndërpritet derisa të pritet mendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilës i ka dërguar një kërkesë të tillë.

Muhamed Gjokaj ishte i punësuar në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që nga viti 2010 në detyrën e kontrollorit.
Ndërkaq në vitin 2014 në Kuvendin e Malit të Zi, me shumicën që asokohe kishte DPS-ja, emërohet shef i Departamentit të Mbikëqyrjes pranë Agjencisë.

 

/MALESIA.ORG/