Nga Gjekë Gjonaj
Më 30 maj 2023 në moshën 75 vjeçare pushoi së rrahuri zemra bujare e Marash ( Masho) Ulaj në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Ky malësor i mirë nga fshati Kojë i Malësisë, u largua nga vendlindja e tij një gjysmë shekulli më parë dhe u vendos në Miçigan-Detroit. U lind më 6 qershor 1948 në një familje me traditë të gjatë atdhetare të njohur edhe për besë, burrëri, urti e trimëri të Pretash Zekës Ulaj , flamurtar i Kojës, familje e cila u përfshi në lufta të përgjakshme, herë kundër shkjaut ( serbo-malazezëve) e herë kundër turqve në mbrojtje të vatrave të tyre shekullore. Kur mbërriti në SHBA, shqiptarët në Ballkan ishin shumë të dobët. Shqipëria vuante në komunizëm. Jugosllavia ishte e paprekshme, Kosova ishte krahinë autonome, etj.
Ai ishte një njeri i respektuar dhe i dalluar në komunitetin shqiptar në Detroit dhe më gjerë. I brumosur me atdhedashuri dhe me virtyte e vlera të larta morale e njerëzore si dhe me traditat fisnike të Malësisë së Madhe u burrërua në shkollën e vatrës familjare dhe në kuvendet e burrave zëmëdhenj të Kojës së “ vogël”, por trime e heroike. Edhe pse me trup ishte në Shtete të Bashkuara të Amerikës, me shpirt dhe zemër ishte gjithmonë në Malësi, Shqipëri e Kosovë. Në bisedat e tij me miq e shok shprehej me emocione të mëdha se Malësia, Shqipëria dhe Kosova janë dashuria dhe krenaria e tij e përjetshme. Këtë thënie apo fjalë zemre të tij e arsyetoi me vepra konkrete. Veprimtaria e këtij atdhetari dhe aktivisti të shquar në diasporë për çështjen shqiptare është e pasur dhe e larmishme.
Kudo u paraqit nevoja për çështjen kombëtare, Marash Ulaj ishte në mesin e mërgimtarëve të parë malësorë (shqiptarë) për të ndihmuar materialisht dhe moralisht vendlindjen e tij Malësinë, përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe të gjitha trojet etnike shqiptare. Qëkur i shkeli këmba në vendin e mundësive të mëdha, respektivisht në tokën e premtuar dhe të bekuar , siç e quajnë Amerikën , për të cilën Fan.S. Noli i madh do thoshte “ Mbahu nënë mos ke frikë , i ke djemtë në Amerikë, e kishte të qartë si dritën e diellit se pa rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare nuk është i mundur çlirimi i Kosovës , më 12 qershor të vitit 1999 dhe pavarësimi i saj më 17 shkurt 2008 , nga regjimi i egër barbar i Sllobodan Millosheviqit “kasapit të Ballkanit” dhe se nuk do të kishim liri, pluralizëm dhe demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90. Dëshmia më e freskët dhe kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA, me Batalonin “ Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të fundit që ndodhën në trojet tona etnike. Ndihma e tij ishte e madhe edhe në krijimin dhe suksesin e Fondit për ndihmë Kosovës.
Marash Ulaj ishte organizator, mbështetës, përkrahës dhe pjesëmarrës i proceseve politike pothuaj në të gjitha protestat dhe demonstratat nga viti 1981 e deri në çlirimin e Kosovës. Ky malësor atdhetar u jepte zemër bashkatdhetarëve të vetë të atjeshëm se liria dhe pavarësia e Kosovës është e afërt dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në anën e drejtësisë dhe popullit shqiptar. Ky burrë fisnik u rreshtua në grupin e atyre mërgimtarëve shqiptarë për t’u dalë zot bashkëvendësve të vet në Malësi, duke i ndihmuar me donacione të ndryshme vullnetare në ndërtimin e objekteve të ndryshme infrastrukturore e të tjera me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre ekonomike e jetësore. Kontributi i tij kuptimplotë ka qenë edhe angazhimi dhe zëri i tij i fuqishëm për bashkimin e subjekteve dhe partive politike shqiptare në prag të fushatës së zgjedhjeve të para vendore për Komunën e Tuzit, që u zhvilluan më 3 mars 2019. Ai vlerësonte se bashkimi i partive kryesore përbën një hap të mençur dhe atdhetar drejt maksimalizimit të votave të shqiptarëve në Komunën e Tuzit. Sipas tij vetëm shqiptarët bashkë mund të luftojnë, siç thoshte ai, armikun dhe të ndalojnë ushtrimin e pushtetit tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve të MilloGjukanoviqit, dhe Malësia gjithsesi të administrohet nga malësorët. Marash Ulajkontribuoi edhe për ardhjen e kongresistëve amerikanë në Malësi dhe ka qenë nënkryetar i Shoqatës “ Malësia e Madhe “ në Miçigan. Me ndihmën e tij dhe të diasporës sonë në Shtete të Bashkuara të Amerikës janë bërë shumë gjëra të rëndësishme që kanë vlera të mëdha për komunitetin tonë dhe për Komunën e Tuzit.
Me vdekjen e Marash Ulajt, Malësia dhe shqiptarët humbën një veprimtar të dalluar e të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për të cilin të gjithë ata që e kanë njohur në mërgatën tonë , e cila është shtylla e kombit, familjeve tona dhe mirëqenies mbarëkombëtare, flasin fjalë miradije. Komuniteti shqiptaro-amerikan me largimin e tij nga kjo jetë humbi një nga bijtë e vet më të mirë, që do të kujtohet gjatë si shembull për t’u ndjekur, si patriot, që do të frymëzojë brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrë nga trualli arbëror dhe synojnë zhvillimin dhe përparimin e tij.