Në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën më 11 qershor 2023, në mesin e 15 listave, garuan edhe dy lista shqiptare dhe fituan 3 mandate, me çka realisht u tejkaluan pritshmeritë.
Dalja shumë e ultë në këto zgjedhje, me vetëm 56 për qind, ishte në favor të shqiptarëve dhe kështu ndihmoi në arritjen e mandatit të tretë.
Forumi Shqiptar i përbërë nga Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar arriti rezultat historik duke fituar dy mandate. Kurse lista tjetër shqiptare, Aleanca Shqiptare e përbërë nga Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Lista për Tuz fitoi një mandat.
Në nivelin republikan, Forumi Shqiptar mori 5.671 vota, kurse Aleanca Shqiptare mori 4.520 vota.
Në Komunën e Tuzit, ku dhe është baza e elektoratit dhe selitë e tri partive që përbëjnë Forumin Shqiptar, kjo listë mori 2.966 vota, ndërkaq Aleanca Shqiptare mori 278 vota.
Në Komunën e Ulqinit, ku dhe është baza e elektoratit dhe selitë e tri partive që përbëjnë Aleancën Shqiptare, kjo listë mori 3.664 vota, ndërkaq Forumi Shqiptar mori 636 vota.
Nëse bëhet krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare, në zgjedhjet e 2020 lista e Forumit Shqiptar në Komunën e Tuzit kishte fituar 3.284 vota në krahasim me 2.966 vota që mori në zgjedhjet e 11 qershorit 2023, që janë 318 vota më pak. Megjithatë, duhet marrë parasysh se në këto zgjedhje dalja më e ultë ishte edhe në Komunën e Tuzit, rreth 2000 votues më pak dolën në zgjedhje.
Në Guci, Forumi Shqiptar mori 305 vota, në Tivar 173 vota, Plavë 165 vota, Rozhajë 121 votë dhe në Podgoricë 691 votë.
Është interesante se Forumi Shqiptar numër të konsiderueshëm të votave mori edhe në Komunat ku partitë shqiptare zakonisht nuk marrin vota; në Nikshiq mori 236 vota, Bjello Pole 204, Herceg Novi 71 dhe Berane 43 vota.
Ky është numri i votave në Komunën e Tuzit për të gjitha listat:
1. Partia boshnjake – 1.042 vota
2. Iniciativa Kroate – 10 vota
3. Lista Vladimir Leposavic – 9 vota
4. SNP – DEMOS – 56 vota
5. Koalicioni i partive serbe – 8 vota
6. Aleanca Shqiptare – 278 vota
7. Lista Srdan Peric – 73 vota
8. Lista Nebojsa Medojevic – 5 vota
9. Lista Mali i Zi qytetarë – 40 vota
10. DPS-SD-UDSH-LP – 1.176
11. Evropa Tani – 369 vota
12. SDP – 89 vota
13. URA – Demokratët – 359 vota
14. Lista e partive serbe – 34 vota
15. Forumi Shqiptar 2.966
Rezultati është preliminarë, i pa zyrtarizuar. Gjithashtu, në një vendvotim në Komunën e Tuzit, në Drume do të rivotohet.
/MALESIA.ORG/