Miratohet vendimi për vendosjen e permendores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz

Kuvendi i Tuzit, me shumicë të votave nga radhet e pozitës dhe një pjesë të opozitës, miratoi vendimin për ngritjen e permendores kushtuar heroit tonë mbarëkombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz.

Për këtë vendim, pro votuan 25  këshilltarë nga radhet e Forumit Shqiptar (ASH-LDSH-UNSH), këshilltari i Demokratëve, keshilltari i Partisë Boshnjake dhe  këshilltarët e opozitës nga radhët e DPS-së, UDSH-së, SD-së dhe Levizjes për Tuz.

Në propozim vendimin thuhet se ngrihet monumenti-përmendorja, me vendosjen e Përmendores së Gjergj Kastriot Skënderbeut,heroit të madh legjendar dhe udhëheqësit ushtarak.

Objekti përkujtimor – përmendorja nga neni 1 i këtij vendimi, do të jetë prej bronzi të derdhur, dimensionet e bustit në kalë janë: lartësia 5m, lartësia e përgjithshme me shpatë në dorë nga piedestali arrin 6m, lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4 m, dhe gjatësia 4,20 m.

Përmendorja do të vendoset në një piedestal prej blloqesh guri natyror me përmasa 4 m gjatësi, 3 m lartësi dhe 2 m gjerësi.

Monumenti përkujtimor nga neni 1 i këtij Vendimi ngrihet në Tuz, Rruga Tuz nr 3, në këtë park pranë SHMP Gjimnazit „25 Maji“, në parcelën kadastrale nr 2315/1 Kk Tuz.

Në ballinën e piedestalit të përmendores do të shkruhet me shkronja latine, kjo përmbajtje:
„GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU 1405 – 1468 ĐERĐ KASTRIOTI SKENDERBEG 1405 – 1468″.

Afati për vendosjen e Përmendores është viti 2023.

Monumentin përkujtimor nga neni 1 i këtij Vendimi e vëndos Komuna e Tuzit.

Komuna e Tuzit është e obliguar për mirëmbajtjen e këtij monumenti përkujtimor.

Për realizimin e këtij Vendimi do të përkujdesen organet i vetëqeverisjes lokale kompetente për kulturën gjegjësisht për planifikimin dhe rregullimin hapësinor.

Ky Vendim hynë në fuqi me ditën e publikimit në Fletën Zyrtare.

Ngritja e permendores së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut është një lajm i mirë, megjithatë, pritshmeritë ishin që ajo të vendoset në qender dhe jo në periferi të qendrës së Tuzit.

Malesia.org