Përfaqësuesit e Forumit Shqiptar dhe Aleancës Shqiptare takohen me Millojko Spajiq


Përfaqësuesit e Forumit shqiptar, Nik Gjeloshaj, Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha u takuan sot me mandatarin e mundshëm për formimin e Qeverisë së re, Millojko Spajiq.

Bartësi i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, pas takimit me bartësin e listes se Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, tha se koalicioni i tij nuk është kompani tregtare dhe se për të është e rëndësishme që të harmonizohen parimet. Gjeloshaj po ashtu ka theksuar se për ta nuk ka rëndësi se në cilën masë do të marrin pjesë në qeveri.

“Ishte një takim konstruktiv, pas disa  takimeve tjera që ishin jozyrtare. Siç është në dijeni publiku, ne kemi parimet tona programore që i mbrojmë gjatë gjithë kohës. Kjo është ajo që u kemi ofruar qytetarëve dhe në bazë të kësaj ata vendosën të na mbështesin. Kjo është gjëja kryesore që kemi paraqitur sot te zyrtaret e LET. Ne shpresojmë në harmonizimin e parimeve. Ne nuk jemi  kompani tregtare. Baza e gjithçkaje është që qeveria të jetë e qëndrueshme dhe sa më jetëgjatë”, deklaroi Gjeloshaj pas takimit.

Nimanbegu – Presim rritje të investimeve nga qeveria e re në zonat ku jetojnë shqiptarë

Gjatë ditës së sotme, me Spajiqin u takuan edhe përfaqësuesit e Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu, Fatmir Gjeka dhe Damir Beqoviq

Bartësi i listës së Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu tha se takimi i sotëm zyrtar me liderin e Lëvizjes Evropa Tani (PES) Millojko Spajiq për formimin e qeverisë ka kaluar në një atmosferë të mirë.

Ai bëri të ditur se ky koalicion do të kërkojë që propozimi i parimeve i LET për formimin e qeverisë së re të plotësohet, ndër të tjera, me kërkesa për decentralizimin e pushtetit dhe veprime shtesë afirmative.

“Ne diskutuam për parimet, do t’i plotësojmë sepse nuk përfshijnë gjithçka. Jemi dakord për vizionin politik, kërkesat tona për decentralizimin e pushtetit… Presim rritje të investimeve nga qeveria e re në zonat ku jetojnë shqiptarët. Takimet e mëtejshme do të varen nga mënyra se si i shohin partnerët kërkesat tona lidhur me parimet”, u tha Nimanbegu gazetarëve pas takimit.

Millojko Spajiq zhvilloi takime edhe me përfaqësuesit e SNP dhe Demos, me përfaqësues të Iniciativës Qytetare Kroate, por edhe me Koalicionin e partive pro-serbe e pro-ruse, për të Ardhmen e Malit të Zi dhe me Demokratët e Alleksa Beçiqit.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Evropa tani, Millojko Spajiq ka thënë se ata nuk do të zhvillojnë bisedime me DPS-në dhe URA-në e Dritan Abazoviqit.

/MALESIA.ORG/