Kosova kohëve të fundit po kalon një ndër sfidat më të mëdha të saj që nga shpallja e pavarësisë e këndej. Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, por edhe më parë, Shqipëria zyrtare, kryesisht kryeministri i saj Edi Rama, po mbanë qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve të Kosovës.
Mospajtimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sidomos me përgjigjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka në raport me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, ka çuar në ftohjen e marrëdhënieve mes tyre dhe anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri, mbledhje e paraparë të mbahej në qershor të këtij viti në një qytet të Kosovës.
Mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta ishte një veprim i mirë për afrimin e të dy shteteve, ku në mesin e marrëveshjeve ka qenë e paraparë edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes këtyre dy shteteve në fushën e sigurisë. Por, papritmas, një natë para se do të duhej të mbahej mbledhja e dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të ndryshohet formati i saj, por Kurti nuk e ka pranuar këtë. Atëherë Rama pa u hamendur e anuloi mbledhjen e caktuar! Anulimi i mbledhjes së përbashkët i dy qeverive shihet si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.
Këtu qëndrimi i Ramës shihet shumë qartë si distancimi i Shqipërisë nga politika e Kurtit.
Mësohet se komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës tërheqjen e policisë speciale nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, si dhe të kryetarëve shqiptarë të komunave atje. Fatkeqësisht, këto kërkesa i ka përkrahur pa rezervë edhe Rama, i cili ka kërkuar reflektim nga Kurti, por kryeministri Kurti nuk u është përgjigjur pozitivisht atyre dhe, për pasojë, Kosova është bërë cak i masave ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mirëpo, edhe përkundër qëndrimit të Edi Ramës dhe anulimit të mbledhjes se dy qeverive, Kurti ka thënë se “raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ndryshojnë ”.
Qëndrimi i Edi Ramës i neveritshëm dhe tepër i dëmshëm
Veprimet e Ramës, pozicioni që mban aktualisht Qeveria e Shqipërisë në raport me Kosovën janë të panevojshme dhe tepër të dëmshme. Mendoj se Rama dhe Qeveria e Shqipërisë, situatën në Kosovë e shohin vetëm nga interesat e ngushta politike dhe se nuk u shkon në mend t’i mbrojnë interesat kombëtare të shqiptarëve atje dhe kudo janë. Rama dhe qeveria e tij po u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare, për mbrojtjen e shqiptarëve jashta shtetit amë, të cilët kanë edhe detyrim kushtetues.
Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar tashmë Kosovën nga një stërvitje të madhe ushtarake, ndërsa BE-ja ka njoftuar për anulimin e disa takimeve dhe vizitave të zyrtarëve kosovarë, si dhe ka tërhequr vëmendjen edhe për pasoja financiare.
Reagimi dhe qëndrimi i Shqipërisë i kryesuar nga Edi Rama për ngjarjet e fundit në Kosovë lë shumë për të dyshuar. Mënyra e të reaguarit ndaj protestave të dhunshme të serbëve dhe sulmeve të tyre ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës, duke bërë fajtor për këtë edhe kryeministrin e Kosovës, ishte e pafalshme!
Por jo vetëm kaq, edhe më e keqja ishte:
Rama ka kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e cilësuar atë si obligim ndërkombëtar të Kosovës.
Për këtë të fundit, Rama ditë më parë ka dorëzuar një draft-statut te presidenti i Francës, Emanuel Makron, dhe kancelari gjerman, Olaf Sholc. Ky veprim i neveritshëm është kritikuar në Prishtinë dhe qarqe të tjera. Mendoj se ky është turpi i radhës që i bëhet pas shpine Kosovës, në veçanti pas asaj me “Ballkanin e Hapur”, tani të ngordhur! Një “kryeminstër” i shqiptarëve nuk duhet të bëjë veprime të tilla në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Mendoj se veprimi i tij, i pakonsultuar me kryeministrin, qeverinë, presidenten apo udhëheqësit e tjerë politikë të shtetit të Kosovës, është i pamenduar mirë dhe i gabuar! Me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e ka çuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij deri te mendimi aq kritik për veprimet e institucioneve të Kosovës?! Mendoj se nuk do shumë koment!
Do të doja të citoj një mik tim të nderuar ( Xh. Z.), i cili në një letër të tij të hapur, të publikuar ditë më parë, mes tjerash shkruan:
“Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk avokon për një pakicë etnike jo shqiptare në shtetin e dytë shqiptar. Paramendoni sikur kryeministri i Kosovës të angazhohej për statusin e minoritetit grek në Shqipëri(?!); Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk pretendon të luajë rolin e ndërmjetësit në mes Serbisë dhe Kosovës (kjo është detyrë e ndërkombëtarëve), por ju duhet haptas të merrni anën e gjysmës së kombit tuaj, pra anën e Kosovës. Shqipëria ka përgjegjësi edhe të sigurisë si vend anëtar i NATO-s, sepse kështu e thotë edhe Kushtetuta e Shqipërisë”.
Me qëllim, apo pa vetëdije, kur përkrahet një tendencë e djallëzuar e Serbisë dhe krerëve të saj politikë, siç është ‘Asociacioni’ i cili për qëllim përfundimtar ka ndarjen e Veriut nga Kosova, atëherë me këtë përkrahet një aspiratë e tyre që ata e quajnë ‘Bota Serbe’. Rama me këto qëndrime po rrëzon gjithçka.
Shqipëria sot drejtohet nga një kryeministër që nuk e ka përkrahjen e shumicës shqiptare dhe flet si avokati i Vuçiqit. Po kryeministri shqiptar a e di që shteti serb është formuar me një krim antishqiptar?
Sot dihet botërisht se Kosova është shtet i pavarur dhe nënshtrimi i politikës serbe për njohjen e Kosovës është e vetmja garanci që ky shtet i jep politikës amerikane dhe botës demokratike në përgjithësi, se Serbia si shtet po heq dorë nga karakteri i vet kriminal antishqiptar.
Fatmirësisht për faktin, ruajtësi i sovranitetit të Kosovës është Amerika dhe Bashkimi Evropian dhe jo Rama. Asgjë nuk mund të vijë nga vullneti i Ramës.
Andaj, duhet të theksojmë se politika e Prishtinës zyrtare sot nuk ka përse të shqetësohet për territoret, ato janë territoret e vendosura vite më parë, me gjakun e të rënëve për liri dhe lufta ndërkombëtare e NATO-s për ato territore është bërë.
Fatmirësisht, asnjë forcë nuk e ndalon sot pavarësinë territoriale të Kosovës. Serbia sot është përballë këtij fakti historik: ose të lëshojë pavarësinë e Kosovës, ose të shpërbëhet.
Qeveria e Shqipërisë duhet të jetë në krah me Kosovën dhe popullin e saj. Qeveria e Shqipërisë duhet ta nxisë Qeverinë e Kosovës që ta menaxhojë gjendjen me qetësi dhe tolerancë, e jo t’i qesë nënkëmbëzën! Qeveria e Shqipërisë duhet ta bëjë të qartë që në çdo rrethanë është me Kosovën, sepse kështu jemi më të fortë.